Maqedoni

Xhaferi në Stokholm, takime me ministren e jashtme dhe mbretin suedez

27.11.2017 18:56

Suedia do ta mbështesë fuqishëm procesin eurointegrues të Maqedonisë, për këtë duhet thelluar bashkëpunimi midis institucioneve të dy vendeve...

Ky është konstatimi i përbashkët i ministres së jashtme të Suedisë dhe kryeparlamentarit të Maqedonisë, Talat Xhaferit, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Suedi.
 
Vendet do ta mbështesin njëri- tjetrin edhe në misionet paqësore në kuadër të NATO-s, tha pas takimit Xhaferi.
 
“Me ministren e Jashtme ndamë mendimin e përbashkët se duhet të intensifikohet dhe komunikimi ndërinstitucional midis dy vendeve për faktin që kohë të gjatë kanë qenë të ndërprera për arsye të kota raportet në kuptimin e komunikimit institucional të institucioneve përkatëse, duke u nisur nga parlamenti e më poshtë. Mbretëria e Suedisë është mbështetëse e denjë në aspiratat e Maqedonisë për anëtarësinë në UE, ndërkaq në kontekst të partneritetit për paqe përpjekjet tona për anëtarësim në NATO në situatë të duhur dy vendet mbështesin njëri-tjetrin në misionet përkatëse që janë në suaza të partneritetit me NATO-n”,- deklaroi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
 
Thellim të bashkëpunimit institucional ka premtuar edhe mbreti i Suedisë, Karl Gustavi i 16.
 
“Ndan mendimin se dy vendet tona nuk kanë çështje të hapura në kuptimin e komunikimit institucional dhe duhet të intensifikohen. La përshtypjen se është i interesuar që marrëdhëniet të thellohen dhe ka gatishmëri që në rrugën institucionale të jetë në RM në mbështetje të saj”,- u shpreh kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
 
NAIM RAMADANI