Maqedoni

105 vjet pavarësi e trojeve shqiptare, dita e flamurit të Skënderbeut, Qemalit e Jasharit

28.11.2017 09:36

Të gjithë shqiptarët anembarë botës, festojnë sot 105-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë...

Të gjithë shqiptarët anembarë botës, festojnë sot 105-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, duke përkujtuar 28 nëntorin e vitit 1912, kur Ismail Qemali dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë ngritën flamurin në Vlorë, duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.
 
Në këtë ditë, u formua edhe qeveria e parë shqiptare dhe  Ismail Qemali u shpall kryetar i kësaj qeverie dhe kryetar I Kuvendit. Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha, Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike, Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar.
 
Por 29 nëntori i 1912, nuk ishte datë e zgjedhur rastësisht.  28 Nëntori i parë arbëror ishte ai i vitit 1443, kur Kryeheroi Ynë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, e ngriti për herë të parë në historinë e këtij kombi Flamurin me Shqiponjën Dykrenare, që valoi në Kalanë e Krujës dhe në kulla e kala të tjera arbërore, për 25 vjet.
 
Pas vdekjes së tij më 1468, pushtuesit otomanë depërtuan në të gjitha trojet arbërore dhe ia ndaluan flamurin për 444 vite me radhë, deri në 1912. Kosova ndërkohë, sot feston edhe Ditën e daljes publike e UÇK-së dhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.