Dhuna e 27 prillit në Kuvend, arrestohet Çavkov dhe disa deputetë

28.11.2017 13:32

Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe ish-drejtor i Byrosë për Siguri Publike....

Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe ish-drejtor i Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov, mëngjesin e sotëm u arrestua me urdhër të Prokurorisë Publike.

Po ashtu janë ndaluar edhe 15 persona të tjerë, në mesin e të cilëve edhe deputetë dhe qytetarë që morën pjesë në dhunën e 27 prillit në Kuvend.

Mes të arrestuarve janë edhe deputeti që hapi dyert e Kuvendit, Kërste Mukovski, deputetja, Zhaklina Stefanovska, deputeti, Luben Arnaudov, aktori, Vllado Jovanovski, Goran Angellov-Qoseto, ish-drejtori i Fondit Shëndetësor, Sashe Stefanovski, dhe persona të tjerë.

Ata janë dërguar në Gjykatën Penale për të dhënë deklaratë para gjykatësit të procedurës paraprake. Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dhënë urdhër për nisjen e procedurës hetimore kundër 36 personave për shkak të dyshimeve të bazuara për kryerjen e veprës penale “kërcënim terrorist të rendit dhe sigurisë kushtetuese nga neni 313” lidhur me ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë.

Çavkov, gjatë ngjarjeve në prill, kryesoi me shtabin operativ të MPB-së, ndërsa nga ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, u akuzua publikisht se ka penguar ndërhyrjen në kohë të policisë për pengimin e turmës që të futej në Kuvend.

Po ashtu edhe nga strukturat më të ulëta të MPB-së ishte theksuar se dy orë Çavkov nuk ka dhënë urdhër për veprim të policisë, me çka ka çuar në rrezik jetën e deputetëve dhe gazetarëve.