Xhaferi takon homologun suedez Alin. Xhaferi:Suedia, e gatshme ta ndihmojë Maqedoninë
Suedia është e gatshme ta ndihmojë Maqedoninë në aspektin bilateral....

Suedia është e gatshme ta ndihmojë Maqedoninë në aspektin bilateral dhe ndërkombëtarë në përpjekjet e saj për të qenë pjesë e Unionit Europian.
Ky ka qenë mesazhi të cilin ia ka përcjellë numri një i parlamentit suedez, Urban Alin, gjatë një takimi të përbashkët kreut të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferit, i cili realizoi vizitën zyrtare në Stokholm me ftesë të homologut të tij suedez. Xhaferi dhe Alin në takim kanë folur për mundësinë e bashkëpunimit midis dy vendeve, në veçanti që janë me interes të përbashkët për dy vendet.
“Biseduam për aspektin e bashkëpunimit midis dy vendeve me interes të veçantë për arritjet dhe për punët që RM i bën në këtë periudhë të përgatitjes për përmbushje të procesit të reformave në RM-së dhe gatishmërinë e Mbretërisë së Suedisë që RM-së në aspektin bilateral dhe multirateral në vendet ku kanë interes të përbashkët të japin mbështetjen e plotë, në veçanti në kontekst të anëtarësimit në UE. Mbretëria suedeze është e gatshme që RM t’i ofrojë ndihmën e duhur në kuptimin e mbështetjes në instanca ndërkombëtare për të qenë të barabartë në aspektin ndërkombëtar atje ku synojmë të jemi pjesë përbërëse në veçanti në UE”,- deklaroi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Suedia inkurajon Maqedoninë që të vazhdojë me zbatimin e reformave, theksoi Xhaferi.
“Në bisedat me homologun shprehën kënaqësinë për faktin që zgjedhjet lokale në veçanti ishin të organizuara dhe të realizuara në kuptimin e asaj ç’farë janë zgjedhje të lira dhe të drejta, që është pritshmëri edhe e komunitetit ndërkombëtar që të ishin ashtu dhe në kontekst të procesit të reformave japin mbështetjen e plotë në përcaktimin e qeverisë dhe parlamentit që ato aspekte të reformave t’i zbatohen deri në fund”,- tha Xhaferi.
Maqedonia mund të shfrytëzojë përvojat e Suedisë lidhur me zbatimin praktik të normave në sferën e ambientit jetësor, potencoi Xhaferi. Në këtë drejtim, Suedia është shprehur e gatshme të ndihmojë Maqedoninë, tha ai.
Kryetari i parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, gjatë qëndrimit të tij në Stokholm, veç takimit zyrtar me kreun e Parlamentit suedez, Urban Alin, mbretin suedez dhe ministren e jashtme, ka vizituar edhe muzeun “Nobel” dhe shkollën e lartë ekonomike në Stokholm. (Naim Ramadani, TVM2)
