Arrestimet, reagon Gruevski: I arrestuan se kundërshtuan “platformën e Tiranës”
Pas arrestimit të ish-drejtorit të Byrosë për Siguri Publike...

Pas arrestimit të ish-drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, deputetëve dhe funksionarëve të lartë të VMRO-DPMNE-së, ka reaguar kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Ai akuzoi pushtetin aktual se po arreston ata që kundërshtuan Platformën e Tiranës, duke lënë të lirë kriminelët e vërtetë. Gruevski kërkon urgjentisht lirimin e të gjithë personave të arrestuar.
“Bëhet fjalë për përndjekje politike dhe qërim hesapesh me njerëzit që luftuan për atdheun e tyre. Në liri lëshohen vrasës dhe kriminelë si Krasniqi dhe Bajrush. Për çfarë duhet të japin llogari, një operist, një aktor dhe një mjek, për terrorizëm? Ata kundërshtuan Platformën e Tiranës. Hyrja e qytetarëve në Kuvend ishte reagim ndaj përpjekjes për të zgjedhur me dhunë në krye të Kuvendit Talat Xhaferin. Sulmi po bëhet ndaj grupit parlamentar të VMRO-së, të cilin duan ta eleminojnë, në mënyrë që Kuvendi të funksionojë ashtu siç do hunta e Zaevit”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
