Dhuna në Kuvend, 37 të dyshuar, akuzohen për terrorizëm
Mbi 30 persona, nga 37 të dyshuar gjithsej, janë arrestuar për dhunën e 27 prillit në Kuvend...

Mbi 30 persona, nga 37 të dyshuar gjithsej, janë arrestuar për dhunën e 27 prillit në Kuvend. Mes të arrestuarve janë ish-drejtori i Byrosë për Siguri, Mitko Çavkov, deputetët, Krsto Mukovski, Luben Arnaudov, Zhaklina Peshevska - Stefanovska, aktori, Vllado Jovanovski,Goran Angellov nga “Shoqata e patriotëve maqedonas - Andon Janev- Qoseto” nga Velesi dhe një pjesë e organizatorëve të protestave “Për Maqedoni të bashkuar”.
Një pjesë e të dyshuarve ende janë në kërkim. Bashkë edhe me deputetët, Lube Tarcullovski dhe Sasho Vasilievski, ata akuzohen për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, për të cilën Kodi Penal parashikon dënim me burgim prej minimum 10 vjetësh.
“Pas shqyrtimit dhe analizës së materialit të mbledhur dëshmues, Prokuroria Themelore për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ka miratuar urdhër për zbatimin e procedurës hetimore kundër 37 personave për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, nga neni 313 i Kodit Penal”,- thuhet në kumtesën e Prokurorisë Themelore.
Shumica e të dyshuarve u morën në pyetje në gjykatë, në të cilën u sollën me pranga në duar. Mes të prangosurve ishte edhe Çavkov, i cili natën e 27 prillit ka udhëhequr shtabin operativ të MPB-së dhe është përgjegjës direkt për mosreagimin e policisë gjatë dhunës në Kuvend.
Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për të gjithë të dyshuarit, por në pajtim me rregulloren, deputetët gëzojnë imunitet nga dita e verifikimit të mandatit deri në përfundimin e tij. Kjo do të thotë se Prokuroria duhet të kërkojë nga Kuvendi marrjen e mandatit për deputetët e dyshuar. Një kërkesë e tillë nuk ka arritur në Kuvend.
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, është i gatshëm të realizojë procedurën sipas rregullores dhe ligjit, por kur të marrë zyrtarisht kërkesën. Për momentin vlerëson se nuk janë respektuar procedurat e parapara për arrestimin e deputetëve.
“Procedurat janë të përshkruara qartë. Në momentin kur nga organi përkatës kompetent deri te Parlamenti, gjegjësisht deri tek kryetari i Parlamentit, parashtrohet kërkesë për zbatim të masës së sigurisë paraburgim ose për heqje lirie të deputetit, kryetari i Parlamentit ka obligim kohor që atë kërkesë ta adresojë në Komisionin për Çështje të Mandateve dhe Imuniteteve dhe i njëjti brenda 48 orëve duhet të korrespondojë me raport deri tek kryetari i Parlamentit, i cili atë ia adreson Parlamentit, d.m.th. procedurat janë paraparë decid në rregulloren”,- deklaroi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Më 27 prill, deputetët u goditën dhunshëm brenda godinës së Parlamentit, e cila u sulmua nga një grup i organizuar, që tentoi me dhunë të pengojë konstituimin e shumicës së re parlamentare.
Gjatë këtij sulmi, më rëndë u lëndua lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, kryeministri aktual, Zoran Zaev, dhe shumë deputetë të LSDM-së. Për hyrjen e grupit në Parlament u fajësuan disa nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët sot janë pjesë e të arrestuarve. (Rexhep Qamili, TVM2)
