Botë

105 vjet Pavarësi të trojeve shqiptare, Shqipëria e Kosova bashkë në Vlorë

28.11.2017 16:18

105 vjet më pas, Vlora, kryeqyteti i Pavarësisë, mirëpriti sërish këtë vit qindra qytetarë dhe zyrtarët më të lartë nga Shqipëria dhe Kosova për të ngritur flamurin kombëtar...

105 vjetori i Pavarësisë shënon dhe çeljen zyrtare të vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut. Në vitin 2018, vit i cili përkon me 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë parashikuar një sërë aktivitetesh kulturore dhe historike që lidhen me figurën e Gjergj Kastriotit - Skenderbeut.
 
“Ne shqiptarët jemi krenarë për këtë figurë historike, simbol i bashkimit tonë në luftërat për liri, e mbi të gjitha simbol i rëndësishëm i lidhjes historike të Shqipërisë me Europën dhe mbarë botën”,- deklaroi presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
 
“Jemi një komb me dy shtete sovrane. Të dy shtetet tona kanë një ëndërr, një qëllim, integrimin e plotë në institucionet euroatlantike”,- u shpreh presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
 
“Le t’ia dalim së bashku që duke reflektuar mbi historinë e lavdishme që Skënderbeu shkroi, të vazhdojmë rrugën pa kthim të proceseve demokratizuese, të konsolidimit të shtetit ligjor, të sigurisë, të reformave transformuese në një rrugëtim Europian”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Në këtë ceremoni mungoi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai u rikthye në Prishtinë pas mbledhjes së dy qeverive në Korçë, për të qenë i pranishëm në festimet e 28 nëntorit në Prishtinë. 
 
LULJETA NDOKA