Maqedoni
Ahmeti: luftërat i fituam, jemi përgjegjës për të ardhmen; Reka: bashkimi i trojeve shqiptare, nën flamurin e BE-së; Nuhiu: historia na ndau, por ne na bashkon flamuri
28.11.2017 18:18
Në akademinë solemne të organizuar nën patronatin e kreut të BDI-së, Ali Ahmetit...

Në akademinë solemne të organizuar nën patronatin e kreut të BDI-së, Ali Ahmetit, u përkujtuan përpjekjet shekullore të shqiptarëve që kulmuan më 28 nëntor 1912.
Nëntori i vitit 1912 ishte periudha gjatë së cilës shqiptarët shpëtuan kombin, ndërsa tani lufta e shqiptarëve duhet bërë në drejtim të integrimit të tyre në strukturat euroatlantike.
105 vite pas shpalljes së pavarësisë, trojet shqiptare kanë sfidë pikërisht integrimin, i cili edhe një herë do t’i bëjë shqiptarët bashkë, nën flamurin e BE-së, u potencua me këtë rast.
“Ndryshimet i bëmë vet, luftën e bëmë vet, u jemi mirënjohës miqve tanë ndërkombëtarë, NATO-s, ShBA-ve, për ndihmën, përkrahjen për të drejtën e mohuar me shekuj për ne shqiptarët, ne fituam luftën për liri, por edhe luftën si diplomaci, ashtu edhe në politikë, dhe tashti më përgjegjës për të ardhmen jemi ne vet shqiptarët se si do t’i çojmë dhe do t’i drejtojmë gjërat”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Shqipëria dhe populli shqiptar janë përfshirë në një luftë tjetër për të realizuar qëllimet e veta që e kanë zanafillën në historinë e kaluar, për t’u bërë edhe institucionalisht pjesë e Europës së sotme. Ne ia kemi përcaktuar vetes detyrën e vështirë, që të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian, dhe është qëllimi ynë strategjik të cilin ne po e realizojmë hap pas hapi dhe jemi fare pranë realizimit të tij”,- tha ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Fatos Reka.
Periudha deri tek shpallja e pavarësisë dhe flamuri kombëtar, mbajtën gjallë shpirtin dhe palcën e kombit. Vitet 1908-1912 përcaktuan fatin e shqiptarëve të cilët u shkëputën nga Perandoria Osmane.
Por, përskaj shpalljes së pavarësisë, shumë troje mbetën jashtë kufirit të Shqipërisë, por pa harruar se kjo datë nuk shënon pavarësinë e shtetit aktual shqiptar, por pavarësinë e të gjitha trojeve të bashkuara shqiptare, prandaj është një ditë që festohet nga të gjithë shqiptarët.
“Konferenca e ambasadorëve vendosi për një Shqipëri të hollë e të gjatë përgjatë Adriatikut. Gjysma tjetër apo Vilajeti i Kosovës nga Novi Pazari e deri në Komprolukë, pjesë e konsiderueshme e Vilajetit të Manastirit iu dha serbëve, ky ishte fati i Shqipërisë, çka ngeli atëherë nga vendimet historike të Vlorës, ngeli simboli kuq e zi, flamuri i shqiptarëve”,- tha historiani, Nuri Bexheti.
28 nëntori i 1912, nuk ishte datë e zgjedhur rastësisht. 28 Nëntori i parë arbëror ishte ai i vitit 1443, kur kryeheroi ynë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ngriti për herë të parë në historinë e këtij kombi flamurin me shqiponjën dykrenare, që valoi në Kalanë e Krujës dhe në kulla e kala të tjera arbërore, për 25 vjet.
Kosova, ndërkohë, sot feston edhe ditën e daljes publike të UÇK-së dhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jasharit.
ERSAN PAJAZITI
