Maqedoni
Arrestimet, protesta para Gjykatës në Shkup
28.11.2017 18:57
Pas arrestimeve të sotme të të akuzuarve për dhunën në Kuvend më 27 prill, janë mbajtur protesta para Gjykatës Themelore në Shkup...

Pas arrestimeve të sotme të të akuzuarve për dhunën në Kuvend më 27 prill, janë mbajtur protesta para Gjykatës Themelore në Shkup, të cilave u është bashkangjitur edhe lideri i VMRO-së, Nikolla Gruevski, dhe funksionarë të tjerë të lartë të kësaj partie.
Protestuesit thonë se arrestimet janë bërë në kundërshtim me ligjin dhe kërkojnë lirimin urgjent të të arrestuarve.
“Ata deputetë të cilët u lënduan në Kuvend ishin pjesëmarrës direkt në zgjedhjen e kësaj qeverie jolegjitime dhe kjo qeveri tani mundohet që në çdo mënyrë t’i mbyll të gjithë maqedonasit që mendojnë ndryshe”,- theksoi Ivica Konevski nga VMRO-DPMNE.
“Në Kuvend duhet të kërkohet fajtori se kush e shkaktoi atë. Atë e shkaktoi LSDM-ja me zgjedhjet jolegale. Me zgjedhjen jolegjitime të kryetarit të Kuvendit, me zgjedhjen e dhunshme të kryeministrit, i cili po shëtitet gjithandej nëpër Ballkan dhe po e shet Maqedoninë”,- tha një protestues.
Protestat janë përcjellë me incidente. Protestuesit kanë sulmuar ekipet e gazetarëve të Makfaks dhe A1on, duke penguar fizikisht gazetarët të kryejnë punën e tyre.
Protestuesit paralajmërojnë protesta edhe më masive gjatë ditëve të ardhshme.
BESIM ABDULLAI
