Maqedoni
Rasti “Kumanova”, protestë në Shkup e Prishtinë, kërkohet rigjykim
28.11.2017 19:21
Familjarët e të burgosurve në rastin “Kumanova”, si dhe ish të përndjekurit politikë, përmes protestave të koordinuara...

Familjarët e të burgosurve në rastin “Kumanova”, si dhe ish të përndjekurit politikë, përmes protestave të koordinuara në Shkup e Prishtinë kanë kërkuar rikualifikimin e lëndës dhe fillimin e hetimit të menjëhershëm ndërkombëtar. Familjarët thonë se djemtë e tyre nuk janë terroristë.
“Arsyeja që sot ne kemi vendosur që këtë ditë të protestojmë dhe të festojmë është pikërisht dënimi skandaloz që Maqedonia ka shqiptuar kundrejt njerëzve tanë që dergjen gati tre vjet nëpër qelitë mesjetare të këtij shteti, të cilët të shtyrë nga një ideal dhe përgjegjësi kombëtare para bashkëkombësve në Maqedoni, u detyruan të nisin sërish një rrugë përplot rreziqe vetëm e vetëm për të dërguar në vend amanetin e bashkëluftëtarëve të tyre”,- deklaroi bashkëshortja e Genc Sefës, Dashurie Sefa.
“Këta luftëtarë të këtyre tre luftërave çlirimtare janë vrarë në Kumanovë pa asnjë fakt të qëndrueshëm politik, pa asnjë dëshmi terroriste, siç janë quajtur, që janë dënuar me burg të përjetshëm përmbi 700 vjet burg”,- theksoi Muhamed Bilalli.
“Forma më e mirë për të shënuar Ditën e Flamurit është forma e protestës. Ka shumë motive që unë jam këtu, por njëra ndër kryesorët janë këta fëmijë këtu që janë shumica fëmijë të të burgosurve politikë të Grupit të Kumanovës. Për këtë arsye ne kërkojmë që të rikualifikohet vepra, të përsëritet gjykimi, pasi këtu ka disa dhjetëra shkelje që dënohen edhe me ligje ndërkombëtare”,- u shpreh ish i dënuari politik, Shpëtim Pollozhani.
