Maqedoni

Gjykata Themelore, paraburgim për 7 persona nga arrestimet e djeshme

29.11.2017 11:13

Gjykata Themelore Shkupi 1 caktoi masë paraburgimi për 7 persona nga 36 të arrestuarit në aksionin e djeshëm policor për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend...

Gjykata Themelore Shkupi 1 caktoi masë paraburgimi për 7 persona nga 36 të arrestuarit në aksionin e djeshëm policor për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, ndërkohë që gjatë ditës së sotme priten vendimet edhe për të arrestuarit e tjerë.
 
Me propozim të Prokurorisë Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjykatësi i çështjes paraprake pranë Gjykatës Themelore Shkupi 1 - Shkup ka sjellë vendim përmes të cilit iu caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve personave me iniciale O. P., O. R, I. D., M. P. dhe M. Ç. Ndërkohë që për personat me iniciale E. B. dhe S. M. gjykatësi nuk e ka pranuar propozimin për masën e paraburgimit, por u ka shqiptuar masë të paraburgimit shtëpiak.
 
Gjykata Penale i ka caktuar paraburgim 30-ditësh edhe ish-drejtorit të Byrosë së Sigurisë Publike, Mitko Çavkovit. Kurse siç bëhet e ditur nga disa media vendase, ai tashmë ndodhet në burgun e Shutkës. Jozyrtarisht raportohet se për gjithsejtë 17 persona është caktuar masa e paraburgimit dhe se janë dërguar në burgun e Shutkës, derisa për tre persona të tjerë është caktuar masa e arrestit shtëpiak. 
 
Mbrëmë, deri vonë, para Gjykatës Penale protestuan ithtarë të VMRO-DPMNE-së dhe anëtarë të familjeve të të arrestuarve. Protesta filloi dje pasdite me thirrjen e liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskit. Në protestë folën deputetë aktualë dhe të mëparshëm, anëtarë të partisë opozitare, të cilët bënë thirrje për lirim të shpejtë të personave të arrestuar. Protesta u shoqërua me incidente kur turma pengoi gazetarët e Makfax dhe A1ON të kryejnë punën e tyre. 
 
Ndërkohë, sot në mëngjes para Gjykatës Penale në Shkup nuk ka qytetarë të cilët protestojnë kundër arrestimeve të personave për pjesëmarrje në ngjarjet në Kuvend të 27 prillit të këtij viti. Komunikacioni zhvillohet normalisht.