Turqi, fletarreste për 360 mbështetës të dyshuar të Gulenit
Prokurorët në Turqi kanë paraqitur fletarreste për 360 persona në një operacion në shënjestër të të cilit janë mbështetësit e dyshuar...

Prokurorët në Turqi kanë paraqitur fletarreste për 360 persona në një operacion në shënjestër të të cilit janë mbështetësit e dyshuar brenda ushtrisë të klerikut turk me seli në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen.
Në raport theksohet se 333 prej këtyre personave, që ballafaqohen me arrestim në operacionin në Stamboll, janë ushtarë, ndërsa 216 prej tyre janë personel shërbyes. Qeveria e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pretendon se Gulen dhe rrjeti i tij e kanë orkestruar përpjekjen për grusht-shtet vitin e kaluar.
Zoti Gulen e ka hedhur poshtë këtë akuzë. Oficerët e policisë së Stambollit po e vazhdojnë operacionin për zënien e të dyshuarve. Agjencia private e lajmeve, Dogan, ka raportuar se 7 prej atyre që kërkohen janë pilotë.
Më se 50 mijë njerëz janë arrestuar në pritje të proceseve gjyqësore për shkak të lidhjeve me Gulenin, ndërsa 150 mijë të tjerë janë shkarkuar ose suspenduar nga puna në sektorin publik ose privat prej puçit të dështuar të 15 korrikut të vitit të kaluar, në të cilin janë vrarë më se 250 njerëz.
Javën e kaluar, afro 700 persona janë arrestuar në ndërlidhje me këto hetime. Aleatët perëndimorë të Turqisë dhe grupet për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësim se Ankaraja po i shfrytëzon hetimet për goditjen e atyre që mendojnë ndryshe.
