Al Xhezira: Hojt Ji do të zëvendësojë Bejlin në Maqedoni
Hojt Brajan Ji do të emërohet ambasadori i ri i ShBA-së në Maqedoni, njoftoi Al Xhezira - Balkans....

Hojt Brajan Ji do të emërohet ambasadori i ri i ShBA-së në Maqedoni, njoftoi Al Xhezira - Balkans, sipas së cilës lajmin tashmë e ka konfirmuar edhe departamenti amerikan i shtetit. Diplomati Hoj Ji, aktualisht është zëvendës ndihmësi i sekretarit shtetëror të ShBA-së për Europë dhe Azi, një njohës i padiskutueshëm i situatës në Ballkan, sigurisht edhe të asaj në Maqedoni.
Ai e ka filluar karrierë diplomatike në vitet e 90-ta, bashkë me njeriun që njihet si diplomati bulldozer, Ricard Hollbruk. Dhe ky ishte edhe krahasimi në fakt që iu bë z. Ji kur ndihmoi në zgjidhjen e krizave politike më herët gjatë këtij viti, në Maqedoni e Shqipëri.
Përpara se të emërohet në pozicionin aktual, Hojt Ji ka punuar si zëvendësdrejtori i misionit të Ambasadës amerikane në Zagreb, prej vitit 2010 deri vitin 2013, një periudhë kohore me mjaft lëvizje të rëndësishme kjo për Kroacinë, pasi pikërisht në këtë periudhë ndodhi edhe epilogu gjyqësor kundër kryeministrit kroat, Ivo Sanader, që u dënua me katër vite e gjysmë burg për mitmarrje.
Hojt Ji pra duket se do të zëvendësojë ambasadorin aktual, Xhes Bejli, i cili u emërua në ambasadën në Shkup, në dhjetor të viti 2014.
