Ligji për amnisti, përfitojnë 3700 të burgosur, jo për vepra të rënda

29.11.2017 16:14

Rreth 3700 të burgosur përfitojnë nga Ligji për amnisti që ka kaluar mbrëmë në qeveri....

Rreth 3700 të burgosur përfitojnë nga Ligji për amnisti që ka kaluar mbrëmë në qeveri. Nga burgu me këtë ligj lirohen 670 persona, që u ka mbetur 6 muaj nga dënimi, 3097 të dënuarve të tjerë do t’u ulet dënimi për 30%.

Por, amnistia nuk vlen për kryerësit e veprave të rënda penale. Ligji vlen për të gjitha veprat e kryera deri më 20 shtator të këtij viti, ndërsa në Kuvend do të hyjë në procedurë të rregullt. Në mbledhjen e mbrëmshme, Qeveria po ashtu ka miratuar edhe informatën për përpilimin e strategjisë për reforma në gjyqësi.

“Nuk parashikohet amnisti për personat të cilët janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe as për kryerësit e veprës penale vrasje sipas nenit 123. Nuk parashihet amnisti për veprat penale që lidhen me zgjedhjet dhe votimin, sipas Kodit Penal, nuk parashihet amnisti për krime kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual, nuk parashihet amnisti për krime kundër shtetit, nuk parashihet amnisti për krime kundër rendit publik, si dhe nuk parashihet amnisti për krime kundër njerëzimit dhe ligjit ndërkombëtar. Mendoj se kjo është e qartë”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.