Arrestimet, 30 ditë paraburgim Çavkovit dhe 12 të tjerëve

29.11.2017 17:27

Me kërkesë të Prokurorisë Themelore për krim të organizuar dhe korrupsion...

Me kërkesë të Prokurorisë Themelore për krim të organizuar dhe korrupsion, Gjykata Penale ka shqiptuar paraburgim  prej 30 ditësh për ish-ministrin e Punëve të Bredshme dhe shefin e Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkovi, njofton “TVM2”.

Paraburgim prej 30 ditëve i është shqiptuar gjithsej 13 personave, në mesin e të cilëve është Igor Durllovski, Oliver Radullov ,Goran Angellov, kryesuesit të protestave, Bogdan Ilievskit, dhe ndaj 9 personave të tjerë. Ndërkaq masën e arrestit shtëpiak Gjykata e ka shqiptuar për 6 të arrestuar edhe atë Boris Damkovskin - kryesues i protestave “Për Maqedoni të bashkuar”, për deputeten, Zhaklina Peshevska, dhe ndaj 4 personave të tjerë. Nga Gjykata Penale njoftojnë se gjatë ditës së djeshme janë sjellë 24 persona që ngarkohen për veprën penale “cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, e që ka të bëjë me zhvillimet më 27 prill në Kuvend. Avokati mbrojtës i të akuzuarit, Dushko Jankoviq, thekson se kanë parashtruar ankesë për masën e paraburgimit, pasi që, siç thotë ai, gjykata vazhdon të praktikojë qasjen e dyfishtë drejt të akuzuarve për vepra të njëjta.

“Jemi të pakënaqur pasi që vërejtëm se dje, gjegjësisht sot, deri në orën 5 të mëngjesit, pasi ishim prezentë në Gjykatë, se përsëri ekziston qasje e dyfishtë gjatë shqiptimit të paraburgimit, d.m.th. edhe përkundër asaj që tërë kohës ishim kritikë, ne, ekspertët, Pribe dhe të gjithë, konkretisht për paraburgimin, për mënyrën e punës së deritanishme të gjykatësve, sot shohim se përsëri ka qasje të dyfishtë, për dikë arrest shtëpiak, për dikë paraburgim efektiv në Shutkë, për akuza të njëjta ose thuajse të ngjashme. Për këtë jemi të pakënaqur, andaj parashtruam ankesë”,- deklaroi avokati mbrojtës, Dushko Jankoviq.

Nga Gjykata njoftojnë se për personat të cilët janë të përfshirë në  propozimin e Prokurorisë ndërsa për momentin kryejnë funksionin deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, gjykatësi në procedurën paraprake do të vendosë pasi do të shqyrtohet kërkesa e gjykatës e dorëzuar në Kuvendin republikan.

Ndërsa për personat e tjerë të cilët janë të përfshirë në propozim ndërsa nuk janë sjellë para gjykatësit në procedurë paraprake, gjykata akoma nuk ka njoftim për arsyet për të cilat nuk është vepruar mbi urdhrin për arrestimin e 12 personave të tjerë. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)