Maqedoni

Shtyhet seanca për rastin “Shuplaka”, edhe Risteski e pranon fajin, do gjykohet ndaras; Gruevski ankohet: seancat kundër VMRO-së, caktohen me urgjencë

29.11.2017 17:40

Ish-këshilltari i VMRO-së në komunën Qendër, Jordan Risteski, i akuzuari i pestë në rastin “Shuplaka”...

Ish-këshilltari i VMRO-së në komunën Qendër, Jordan Risteski, i akuzuari i pestë në rastin “Shuplaka”, pranoi fajin dhe u shpreh i penduar për dhunën e ushtruar.
 
Ristevski thotë se fajin e ka pranuar pa asnjë presion. Ai tashmë do të gjykohet ndaras nga të akuzuarit e tjerë për dhunën e porositur në komunën Qendër.
 
Por, seanca për këtë rast sërish u anulua, pasi në të mungoi avokati i tre të akuzuarve, Donço Nakov. Meqë avokati paraprakisht e kishte njoftuar gjykatën për udhëtimin e tij jashtë vendit, prokurorët specialë pranuan anulimin e seancës.
 
Por, prokurorja, Fatime Fetai, potencoi se është hera e fundit që lejohet shtyrje për shkak të mungesës së mbrojtjes.
 
Gjithashtu kërkoi që edhe të akuzuarit të respektojnë institucionin e gjykatës, e të mos ndodhë më që të vonohen, siç ishte rasti i sotëm ku ish-kryeministri Gruevski u vonua për rreth 20 minuta.  
 
“Seanca gjyqësore vazhdon me 7 dhjetor për shkak se njëri prej avokatëve mbrojtës,  që përfaqëson tre të akuzuarit në këtë rast, mungoi me arsye. Duke pasur parasysh respektimin e të drejtave të tyre për të qenë me avokat në seancë, pranuam të anulohet seanca e sotme. Sot patëm edhe një gjykim ndaras, sepse edhe një i akuzuar në këtë rast pranoi fajin për të cilin akuzohet. I përfunduam fjalët përfundimtare për këtë dhe nesër presim të shqiptohet vendimi përfundimtar ndaj tij”,- deklaroi prokurorja speciale, Fatime Fetai.
 
Seanca u ricaktua për më 7 dhjetor, kur edhe duhet të merren në pyetje dy dëshmitarët e parë. I akuzuari i parë në këtë rast, lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, vlerëson se gjykata punon me standarde të dyfishta. 
 
“Seancat që janë të lidhura me VMRO-DPMNE-në caktohen për një, dy, apo deri në katër ditë, përderisa në rastet e Zoran Zaevit caktohen në kohë të pacaktuar dhe ky është ai lloj i pabarazisë, proteksionizmit të dukshëm nga ana e gjyqësisë”,- u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
 
PPS në rastin “Dhuna në Qendër” akuzon gjithsej 14 persona, në mesin e të cilëve janë Nikolla Gruevski edhe Mile Janakievski. Më herët, Tomisllav Llazarov, i cili paraprakisht e pranoi fajin, u dënua me 6 muaj burgim me kusht. 
 
REXHEP QAMILI