BNJVL zgjedh kryesinë e re, Shilegov kryetar, Ganiu e Jançev nënkryetarë, VMRO-DPMNE: Pushteti kërcënon administratorët lokalë
Petre Shilegov është zgjedhur kryetari i ri i BNJVL-së....

Petre Shilegov është zgjedhur kryetari i ri i BNJVL-së. Për nënkryetar u zgjodhën kreu i Çairit, Visar Ganiu, dhe kryetar i Kavadarcit, Mitko Jançev, edhe pse nuk ishte i pranishëm pasi që kryetarët e komunave nga radhët e VMRO-së vendosën ta bojkotojnë këtë seancë konstituive.
Për Shilegovin, prioritet do të jetë vazhdimi i procesit të decentralizimit dhe gjetja e mënyrave për të financuar komunat, për t’u mundësuar autonomi financiare.
“Prioritet do të jetë vazhdimi i procesit të decentralizimit, që është dhe angazhim i qeverisë, si dhe përmirësimi i financimit të komunave me qëllim që të kenë dhe autonomi financiare. Kjo do të thotë se përqindja e fondeve që janë transferuar nga TVSh, që momentalisht është 4.5 për qind dhe tatimi mbi të ardhurat personale 3 për qind, në nivel lokal duhet të rritet si dhe të rregullohet pjesa e financimit nga bllok-donacionet që qeveria qendrore i transferon për nevojat e komunave, e gjithë kjo do të sjellë autonomi financiare të komunave, me qëllim që shërbimet që jep komuna për qytetarët të jenë në nivel më të lartë, që është dhe angazhim i yni si qeveri”,- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
VMRO me një komunikatë ka arsyetuar bojkotin e seancës konstituive. Partia e Gruevskit akuzon pushtetin për qasje selektive në drejtësi, e për presione dhe kërcënime ndaj administratorëve lokalë që nuk janë pjesë e LSDM-së.
“Qeveria po bën presione në masë, kërcënime, rishpërndarje dhe shkarkime nga komunat dhe ndërmarrjet publike lokale për punonjësit që nuk janë anëtarë të LSD-së. Një numër i madh i kryetarëve të komunave ndiqen penalisht për bindjet e tyre politike, që është një precedent i pashembullt në Republikën e Maqedonisë në 27 vitet e fundit”,- thuhet në komunikatë.
Nënkryetari i BNJVL-së, Visar Ganiu, nga ana tjetër, premton se koncepti i komuniteteve do të jetë i baraspeshuar, me qëllim që të gjitha komunat të kenë trajtim të njëjtë, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
