Raporti për ndotjen e ajrit: Lëndët ngrohëse, ndotësi më i madh
Ndotësi më i madh i ajrit janë lëndët ngrohëse që përdorin amvisëritë....

Ndotësi më i madh i ajrit janë lëndët ngrohëse që përdorin amvisëritë. Kështu ka rezultuar raporti i grupit punues ndërmjet resorëve, i përbërë nga organet shtetërore dhe sektori joqeveritar. Zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski, bëri të ditur se tanimë janë ndërmarrë disa masa, si riaktivizimi i ngrohjes qendrore te familjet e shkyçura, apo projektet nga investitorët për ngrohje të objekteve. Sa i përket transportit, i cili po ashtu është një nga shkaktarët e ndotjes, janë paraparë subvencione për automjete elektrike apo hibride si dhe furnizim me autobusë ekologjikë.
“Janë paraparë subvencione dhe stimulime të mënyrave të reja të ngrohjes. Në plan afatgjatë parashihet ndalesë për përdorimin e thëngjillit për ngrohje, masë që duhet implementuar deri në vitin 2021. Gazifikimi do të jetë po ashtu një nga masat afatgjate që po ashtu do të kontribuojë në uljen e ndotjes”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Bosnjakovski.
Edhe ekspertët e ekologjisë pajtohen se ngrohja, së bashku me komunikacionin dhe industrinë e vogël, janë ndër shkaktarët më të mëdhenj të ndotjes. Ky, sipas tyre, është problem social, pasi qytetarët vendosin vet se si dëshirojnë të ngrohen.
“Të inkurajohen qytetarët e shkyçur nga ngrohja qendrore, të cilët jetojnë në banesa apo objekte më të mëdha banesore, ku ka ngrohje qendrore, përsëri të kyçen në këtë rrjet”,- tha një ekologe.
Pjesë e masave të qeverisë është edhe stimulimi i përdorimit të biçikletave dhe kompanive që trajtojnë mbeturinat, hapësira më të mëdha të gjelbra dhe rritja e kontrollit gjatë ndërtimeve të reja. Po ashtu planifikohet të vendosen edhe dy stacione matëse në Gostivar dhe Strumicë. Me disa masa do të përfshihet edhe kombinati REK - Bitolla, ndërsa parashihet edhe hapja e eko klasave. Për masat kundër ndotjes së ajrit janë paraparë edhe mjete buxhetore, bëri të ditur zëdhënësi qeveritar, Boshnjakovski. (Gyltene Sinani, TVM2)
