Rasti “Monstra”, Apeli ia kthen lëndën Penales, Penalja Supremes
Vazhdon hedhja majtas - djathtas e lëndës për rastin “Monstra”, teksa familjarët presin lirimin e të dënuarve të pafajshëm...

Vazhdon hedhja majtas - djathtas e lëndës për rastin “Monstra”, teksa familjarët presin lirimin e të dënuarve të pafajshëm, tashmë që lënda është kthyer në rigjykim. Lënda për rastin “Monstra”, nga Gjykata e Apelit sot herët në mëngjes arriti tek Gjykata Themelore.
E kjo e fundit, pas pak orësh, sërish e riktheu tek Gjykata Supreme, meqë Supremja nuk e ka dhënë qëndrimin për çështjen e paraburgimit. Ende askush nuk e di nëse dhe kur do të lirohen nga burgu Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Sami Luta dhe Haki Aziri, por edhe të dënuarit në mungesë, Afrim Ismajloviq dhe Halil Demiri.
Nga Gjykata Supreme thonë se prej shkallës së tretë lëndën përsëri do ta procedojnë në shkallën e parë tek Gjykata Themelore, pasi që, sipas tyre, Penalja u ka shqiptuar masën e paraburgimit, kurse Supremja vetëm se ka rrëzuar vendimin e shkallës së parë dhe të dytë dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.
