Botë

Postimi i videove anti-islamike, Trump grindet me May

30.11.2017 10:35

Presidenti amerikan Donald Trump ka ironizuar kryeministren britanike Theresa May....

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nxitur reagime të shumta pasi më 29 nëntor ka postuar video anti-myslimane në Twitter, të cilat fillimisht ishin postuar nga një grup britanik i ekstremit të djathtë.

Kryeministrja britanike, Theresa Mayn, ka kritikuar presidentin amerikan, Donald Trump, për ripostimin e videove anti-myslimane të së djathtës ekstreme.

Zëdhënësi i kryeministres May tha se postimi i këtyre videove ishte një veprim i gabuar për një president. 

Edhe kryetari i Londrës, Sadiq Khan, ka akuzuar Trumpin se me ripostimin e këtyre videove ka tradhtuar “marrëdhënien e veçantë” në mes të Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Khan i është bashkuar një numri të politikanëve të tjerë britanikë, të cilët po bëjnë thirrje që Trump të anulojë vizitën në Britani. Lidhur me këto reagime është kundërpërgjigjur presidenti amerikan, Trump. 

“Theresa, mos u përqendro në mua, përqendrohu në terrorizmin radikal islamik që po ndodh brenda Mbretërisë së Bashkuar”,- ka shkruar në Twitter president Trump.

Reagimet erdhën pasi presidenti amerikan ripostoi tre video. Videoja e parë tregonte një emigrant mysliman që sulmonte një holandez me paterica, por sipas autoriteteve holandeze agresori kishte lindur e ishte rritur në këtë shtet, e nuk ishte emigrant.

Në videon e dytë shfaqet një burrë që shkatërron statujën e Virgjëreshës Mari, e publikuar ne You Tube në vitin 2013-n. 

Ndërsa e treta tregon një moment gjatë trazirave në Egjipt po në këtë vit, kur një burrë shtyhet nga një ndërtesë e lartë në Aleksandri.