Taksa- radiodifuzive, lirohen rastet sociale
34 mijë shfrytëzues të ndihmës sociale dhe 5000 shfrytëzues të përhershëm të mjeteve financiare nga Shteti, nuk do tu dërgohen fatura të taksës radio-difuzive.......
34 mijë shfrytëzues të ndihmës sociale dhe 5000 shfrytëzues të përhershëm të mjeteve financiare nga Shteti, nuk do tu dërgohen fatura të taksës radio-difuzive.
Të mërkurën e ardhshme, në seancë të rregullt parlamentare, me procedurë të përshpejtuar do të sillet vendim për lehtësimin e shfrytëzuesve të ndihmës sociale nga taksa radio-difuzive.
“Menjëherë pas hyrjes në fuqi të Ligjit, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, në kontinuitet, çdo muaj do të dërgojë të dhëna bazë për shfrytëzuesit e ndihmës sociale dhe shfrytëzuesit e mjeteve të përhershme nga Shteti, që Drejtoria e të Hyrave Publike dhe Radio Televizioni i Maqedonisë të mos u dërgojë fatura”, deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
Pas përfundimit të procedurave kuvendore, Ligji për shlyerje të borxheve do tu zvogëlojë kategorisë më të rrezikuar sociale edhe shpenzimet për rrymë elektrike, për noter, përmbarues, kartela kreditore, si dhe do të vijohet me projektin “Shtëpi e ngrohtë”, tha Spasov.
Ndërkohë, ministri i Shoqërisë Informatike tha se ky hap do t’i ndihmojë kësaj kategorie të shoqërisë dhe pritet të ndikojë në nxitjen e qytetarëve të tjerë ta paguajnë taksën radio-difuzive.
“Kemi bërë një grup të gjerë pune, gjegjësisht grup i cili është formuar para sjelljes së dy Ligjeve për Media, ku anëtarë janë nga Lidhja e Gazetarëve të Maqedonisë, Asociacioni i Gazetarëve, Këshilli Radiodifuziv, si dhe redaktor nga RTVM, të cilët punojnë për të gjetur model i cili do të jetë mënyrë më e sigurt për pagesën e taksës radiodifuzive”, theksoi ministri i Shoqërisë Informative, Ivo Ivanovski.
Ivanovski, apeloi deri te qytetarët, të cilët kanë problem me faturat, të paraqiten në Drejtorinë e të Hyrave Publike, apo në sportelet e TVM-së në Shkup, që t’i korrigjojnë dhe të mund të bëjnë pagesën me rregull. (Rina Turkeshi-Saiti, TVM2)
Foto: mia.mk
