Botë

Moti i keq në Shqipëri, pezullohen lundrimet në Vlorë e Durrës

30.11.2017 12:51

Në Shqipëri Emergjencat Civile janë vënë në gatishmëri në të gjithë vendin për t’u përballuar me situata të pritshme përmbytjesh....

Në Shqipëri Emergjencat Civile janë vënë në gatishmëri në të gjithë vendin për t’u përballuar me situata të pritshme përmbytjesh pas paralajmërimeve të Institutit të Gjeoshkencave për reshje të dendura shiu prej sot e deri më 4 dhjetor.
 
Si pasojë e shirave të dendur që kanë rënë mëngjesin e sotëm në qytetin e Durrësit, është pezulluar lundrimi i anijeve të tonazhit të ulët dhe të mesëm. Gjithashtu janë pezulluar të gjitha udhëtimet e linjës së trageteve Sarandë - Korfuz dhe anasjelltas. Është shtuar frika se lumenjtë, si ai i Vjosës, do të kenë prurje të mëdha uji të cilat mund të dalin nga shtrati. Do të ketë edhe një erë të vrullshme, e cila do t’i kalojë 20-30 m/sek, që mund të kategorizohet edhe si ciklon, paralajmërojnë meteorologët.
 
Reshjet priten të sjellin përmbytje në lumenjtë e mëdhenj, përveç vërshimeve të lumenjve të vegjël dhe përmbytjeve urbane. Qarqet më të rrezikuara janë Fieri dhe Vlora, pasi ka mundësi të lartë për përmbytje në basenet e lumenjve Vjosa dhe Seman.
 
Gjithashtu edhe lumi Shkumbin mund të shfaqë përmbytje përgjatë fundit të ditës së premte. Përballë kësaj situate të pritshme meteorologjike, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile ka udhëzuar në mënyrë të veçantë të gjithë prefektët e qarqeve, drejtuesit e bashkive, drejtuesit e institucioneve qendrore rajonale dhe vendore për marrjen e masave urgjente të sigurimit të kushteve për jetën normale të komunitetit.