Maqedoni
Edhe dy të arrestuar për dhunën në Kuvend. MPB ka informacione për 12 të akuzuarit e tjerë
30.11.2017 14:26
Edhe dy të akuzuar të tjerë për dhunën në Kuvend përfunduan në paraburgim në Shutkë...

Gjykata Penale shqiptoi paraburgim prej 30 ditësh për M. M. dhe S. M. që akuzohen se kanë nxitur dhe ushtruar dhunë natën e 27 prillit në Kuvend. Në ndërkohë, ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, tha se Policia punon për t’i gjetur dhe për t’i sjellë para organeve të drejtësisë edhe dymbëdhjetë personat e tjerë të akuzuar në këtë rast.
Spasovski nuk i publikoi emrat e personave në kërkim dhe nuk dha detaje për veprën që akuzohen. Për ata të cilët janë në arrest për këtë rast, e janë të punësuar në MPB, Spasovski tha se do të merren masa të duhura në përputhje të ligjit.
"Janë dhënë urdhra për arrestimin e 36 personave, ndërsa 12 persona akoma janë në kërkim, ata me siguri janë në Republikën e Maqedonisë. Të gjithë ata të cilët janë të punësuar në MPB, nëse u caktohet masë arresti, pas raportimit marrëdhënia e tyre e punës pezullohet. Për ata për të cilët deri më tani nuk është udhëhequr procedurë disiplinore, hapet mundësia për ngritjen e kësaj procedure”,- deklaroi ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.
Spasovski nuk dha informacione se a posedojnë ose jo këta persona shtetësi të dyfishtë. Por, ai sqaroi se obligimi i Prokurorisë dhe të Gjykatës është nëse do të shpallë ose jo fletarrestim për ta dhe a do të rritet numri i të akuzuarve për dhunën në Kuvend.
Gjykata Penale deri tani ka shqiptuar paraburgim prej 30 ditësh për gjithsej 15 persona, në mesin e të cilëve është dhe ish-ministri i brendshëm, Mitko Çavkov, deputetët, Zhaklina Peshevska dhe Igor Drullovski, ndërsa pritet Gjykata Penale të marrë vendim edhe për ankesat e parashtruara të palës mbrojtëse për masën e paraburgimit.
REXHEP QAMILI
