Maqedoni
Bejli: Fajtorët për dhunën në Kuvend duhet të përgjigjen. Ambasada britanike: Për arrestimet e fundit të respektohen procedurat institucionale
30.11.2017 14:55
Fajtorët për dhunën e 27 prillit në Kuvend duhet të përgjigjen, por patjetër të respektohet prezumimi i pafajësisë, ka deklaruar ambasadori amerikan në Shkup, Xhes Bejli...

Duke folur lidhur me arrestimet e fundit, ambasadori amerikan tha se së bashku me përfaqësuesit e BE-së po ndjekin me vëmendje zhvillimet rreth arrestimeve të fundit në Maqedoni.
“Siç kemi deklaruar, ne si miq dhe përkrahës të Republikës së Maqedonisë, i ndjekim këto zhvillime të rëndësishme. Policia, Prokuroria dhe sistemi gjyqësor duhet të veprojnë në mënyrë transparente me respektim të plotë të standardeve më të larta. Gjithsesi, ne dhe BE kemi thënë se përgjegjësit për ngjarjet e 27 prillit duhet të bartin përgjegjësi, por gjatë procesit po ashtu patjetër të respektohet prezumimi i pafajësisë”,- deklaroi ambasadori i ShBA-ve, Xhes Bejli.
Sa i përket vendimit të Komisionit për çështje të imunitetit, për t’u hequr imuniteti i 6 deputetëve me propozim të gjykatës, Bejli tha se gjithçka është në përputhje me rolin e Kuvendit dhe qeverisjes demokratike.
Pas reagimit të Komisionit Europian dhe Ambasadës së ShBA-ve, në lidhje me ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë ka reaguar edhe Ambasada britanike.
“Është e rëndësishme që të respektohen procedurat institucionale dhe rregullat ligjore me transparencë maksimale, që të jetë i qartë i gjithë procesi i ndëshkimit të ngjarjeve të 27 prillit. Kjo duhet të bëhet nëpërmjet një procesi gjyqësor ku do të qartësohen të gjitha faktet dhe informacionet rreth kësaj ngjarje”,- thuhet në reagimin e Ambasadës britanike në Shkup.
GYLTENE SINANI
