Maqedoni
Ansambli shqiptar në Maqedoni, artistët kërkojnë që selia të jetë në Shkup
30.11.2017 16:03
Së shpejti në Maqedoni pritet të themelohet ansambli i parë shqiptar i këngëve dhe valleve shqipe...

Për konsolidimin dhe funksionimin e ansamblit janë paraparë mjete financiare në buxhetin për vitin 2018. Edhe pse akoma zyrtarisht nuk është përcaktuar se ku do ta ketë selinë ky ansambël, artistët thonë se nga informatat e para kanë mësuar se selia e ansamblit parashihet të jetë me seli në Tetovë. Ata kërkojnë që ansambli shqiptar ta këtë selinë në Shkup, njëjtë si ansamblet në Tiranë dhe Prishtinë.
“Për të qenë i kompletuar ky institucion, vlerësojmë se selia e këtij ansambli duhet të jetë në kryeqytetin e Maqedonisë, në Shkup, ashtu siç janë ansamblet shtetërore në Tiranë dhe ansambli kombëtar në Prishtinë. Vlerësojmë se në këtë institucion duhet të përfshihen artistë që me profesionalizmin e tyre kanë kontribuuar në kultivimin dhe ruajtjen këngëve dhe valleve shqipe vite me radhë. Iniciatorët e themelimit të këtij ansambli shpresojmë se do ta marrin parasysh kërkesën e artistëve që veprojnë në ansamblet”,- deklaroi kryetari i Ansamblit “Bajram Shabani” – Kumanovë, Dritan Ramadani.
Krijimi i ansamblit shtetëror shqiptar i këngëve dhe valleve pritet të aprovohet nga Qeveria këtë javë. Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri, tha ditë më parë se vendimi është marrë, por po priten konsultimet e fundit për krijimin e ligjit në mënyrë që ky ansambël të funksionojë në mënyrë të përkryer.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
