Maqedoni

Komisioni propozon heqjen e imunitetit. Kiracovski: deputetët s’janë mbi ligjin. VMRO: Komisioni i LSDM-së, me vendim hakmarrjeje

30.11.2017 17:00

Komisioni për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit pranoi kërkesën e Gjykatës Penale...

Komisioni për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit pranoi kërkesën e Gjykatës Penale për t’ua hequr imunitetin gjashtë deputetëve të VMRO-DPMNE-së, të përfshirë në ngjarjet e 27 prillit në Kuvend.
 
Komisioni, unanimisht, votoi propozim/raportin që Kuvendi t’ua heq imunitetin 6 deputetëve të VMRO-DPMNE-së, përkatësisht t’i lejojë Gjykatës Penale që të zbatojë masën e paraburgimit edhe për deputetët: Kërsto Mukovski, Sasho Vasilevski, Johan Tarçullovski, Ljuben Arnaudov, Ljupço Dimovski dhe Zhaklina Peshevska.
 
Të gjithë qytetarët, përfshirë edhe deputetët, duhet të jenë të barabartë para ligjit, tha deputeti, Aleksandar Kiracovski. Sipas tij, ngjarjet e 27 prillit ishin sulm ndaj demokracisë dhe rendit kushtetues të vendit dhe tentim për rrezikimin e jetës së deputetëve, prandaj institucionet e sistemit e kanë  detyrë ta zbardhin këtë rast.
 
“Institucionet e sistemit e kanë obligim ta zbardhin këtë rast, që drejtësia të dalë në pah dhe veprat me karakter të tillë të mos përsëriten kurrë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se ne jemi deputetë, qytetarë të rëndomtë dhe nuk duhet të konsiderojmë veten mbi ligjin dhe as nuk duhet të vihemi në rolin e gjykatësve dhe prokurorëve. Faktet flasin se nga pavarësimi i RM-së, Kuvendi kurrë nuk ka pasur intencë që të pengojë ndonjë procedurë gjyqësore. Gjykata disa herë ka kërkuar heqjen e imunitetit të ndonjë deputeti dhe Kuvendi gjithmonë e ka mundësuar atë”,- deklaroi deputeti i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski.
 
Në seancën e Komisionit nuk morën pjesë as anëtarët as zëvendësit nga partia opozitare VMRO-DPMNE dhe koalicioni, edhe pse të gjithë janë njoftuar dhe i kanë marrë njoftimet nga Kuvendi për seancë.
 
VMRO-DPMNE e quajti Komisionin kuvendor, Komision të Lidhjes Social-demokrate, ndërkaq vendimin e cilësoi hakmarrje politike.
 
“Seanca e sotme e Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit është seancë e Komisionit partiak të LSDM-së, e cila nuk tregoi dinjitet për të qenë në krye të detyrës që ka, të mbrojë Kushtetutën dhe rendin kushtetues në Republikën e Maqedonisë. Vendimi i sotëm nuk është mbështetur në fakte dhe argumente, por është bazuar në dëshirën për revanshizëm politik të LSDM-së ndaj deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, por edhe ndaj qytetarëve që treguan vetëdije që të flasin hapur kundër politikave të LSDM-së”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së. Prokuroria Publike Themelore akuzon 6 deputetë të VMRO-DPMNE-së për "rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë", lidhur me ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Republikës.
 
SHPËTIM NUREDINI