Ekonomi
OEMVP shpall top 100 kompanitë
30.11.2017 17:41
Për të shtatën herë me radhë, OEMVP shpalli 100 kompanitë më të suksesshme të vitit...

Kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha, potencoi nevojën për mbështetje të kompanive.
Ai tha se ekonomia e vendit kaloi në një periudhë të vështirë për shkak të krizës politike ku kompanitë ishin më të goditura, andaj ai theksoi se ka ardhur koha që qeveria të fokusohet për të kthyer ekonominë në agjendën kryesore të saj.
“Neve na duhet një qasje e re për nevojat dhe kërkesat e komunitetit të biznesit në interes të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik për të rindërtuar infrastrukturën e Maqedonisë, për të mbrojtur pronësinë intelektuale, për të luftuar një ortek të rregullave të reja, për të revitalizuar tregjet e kapitalit dhe për të mbrojtur agresivisht ligjin, taksën, arsimin dhe reformën e të drejtës”,- deklaroi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
Kryeministri, Zoran Zaev, u zotua se qeveria do t’i përkrah dhe do t’i ndihmojë bizneset me qëllim të një mirëqenie të mirë ekonomike.
“Kompanitë duhet që të angazhohen për pagesa të ndershme për të gjitha obligimet ndaj shtetit, ndërsa politikat qeverisëse duhet që të fokusohen dhe të dalin nga dialogu i hapur me komunitetin e biznesit për krijimin e kushteve për rritje dhe zhvillim të mëtejshëm”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Kompania e parë për këtë vit u shpall Kipper, ndërsa listën e pesë kompanive e plotësuan kompanitë: Dauti-Komerc, Neptun, Bas Tutti Fruti dhe Alma M.
Rangimi i kompanive u bë në bazë të qarkullimit vjetor të realizuar, numrit të të punësuarve dhe fitimit neto.
ERSAN PAJAZITI
