Maqedoni
Tilerson: Maqedonia, në rrugë të drejtë me reformat
30.11.2017 19:53
Maqedonia është në rrugë të mirë për të qenë shembull i suksesshëm për rajonin...

ShBA-të do të vazhdojnë të kenë rol pozitiv për stabilitetin dhe progresin e rajonit dhe të kërkojë mënyra t’i ndihmojnë, ka deklaruar sekretari amerikan i shtetit, Reks Tilerson, në takimin me shefin e Diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.
Në takim është diskutuar për kontestin me emrin si dhe zhvillimet në Maqedoni dhe rajon. Siç njofton MPJ, Tilerson e mbështeti agjendën reformuese në Maqedoni, duke i bërë thirrje Qeverisë të vazhdojë me zbatimin e saj.
“Maqedonia është mike dhe partnere e ShBA-së, jemi të bindur se me ndihmën tuaj, lidershipin dhe mbështetjen e aleatëve europianë, shpejt do të jemi pjesë e familjes së NATO-s. Përkushtimi dhe vendosmëria jonë është e madhe dhe kemi për qëllim që ta shfrytëzojmë këtë mundësi që na jepet”,- ka thënë Dimitrov.
Në kontekst të marrëdhënieve me fqinjët dhe gjendjet në rajon, Dimitrov nënvizoi se “moszgjidhja e problemeve tërheq përgjegjësi politike”. Takimi i fundit i shefit të diplomacisë së Maqedonisë me sekretarin amerikan të shtetit u mbajt në vitin 2008, mes ministrit të atëhershëm, Antonio Milloshoskit, dhe ish-sekretares amerikane të shtetit, Kondoliza Rajs.
