Maqedoni

Presidenca inicion bisedime për situatën aktuale. Zaev, Xhaferi, Gruevski dhe Ahmeti në takim tek Ivanov

01.12.2017 10:59

Në kabinetin e presidentit, Gjorge Ivanov, mbrëmë është zhvilluar takimi i papritur i kreut të lartë shtetëror dhe liderëve të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së...

Në këtë takim, përveç liderëve të partive, ka  marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, kryeministri, Zoran Zaev, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Sipas njoftimit të lëshuar nga kabineti i presidentit, ky takim është pjesë e bisedimeve të iniciuara nga presidenti për zhvillimet aktuale pas arrestimeve të personave të përfshirë në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit.
 
“Në këtë takim janë shkëmbyer mendime për zhvillimet aktuale dhe se është biseduar për gjetjen e zgjidhjeve për nxjerrjen e vendit nga situata momentale që është e tensionuar dhe që po rrit shqetësimet tek qytetarët”,- thekson komunikata e presidentit.
 
Nga kabineti i Ivanovit kanë theksuar se palët janë dakorduar se është e domosdoshme që të gjithë bartësit e proceseve politike dhe shoqërore në vend duhet të angazhohen për gjetjen e një konsensusi për dialog nacional, që do të ishte në funksion të pajtimit dhe normalizimit të procesit politik, që është bazë për vazhdimin e reformave.
 
Nga presidenca kanë theksuar se do të vazhdojnë bisedimet e këtij formati në interes të zhvillimeve në vend dhe kultivimit të dialogut. Pas takimit, liderët e partive nuk kanë dhënë deklarata për mediat.