Botë

Shqipëria nën ujë, situatë e rënduar në jug nga fryrja e lumenjve

01.12.2017 11:45

Komiteti për Koordinimin e Emergjencave Civile dhe Krizave i Shqipërisë ka njoftuar sot se pritet rëndim i gjendjes...

Komiteti për Koordinimin e Emergjencave Civile dhe Krizave i Shqipërisë ka njoftuar sot se pritet rëndim i gjendjes, veçanërisht në pjesën jugore të vendit, pas reshjeve të mëdha të shiut dhe erës së fortë, e cila e ka kapluar Shqipërinë.

Po merren masa për menaxhimin e situatës në basenet e lumenjve Vjosë, Shkumbin dhe Seman, ku priten edhe prurje të shtuara. Në disa segmente të këtyre lumenjve po merren masa për të organizuar evakuim të banorëve të rrezikuar, duke filluar nga zonat që preken nga lumi Vjosë.

Autoritetet shtetërore po vijojnë zhvillimin e operacionit për përballimin e gjendjes. Kapacitete të reja njerëzore dhe teknike do të zhvendosen në drejtim të Fierit dhe të Vlorës për të përforcuar dhe mbështetur autoritetet vendore. Shtabet e emergjencave civile do të mblidhen përsëri në të gjitha qarqet e vendit për të rivlerësuar gjendjen dhe për të marrë masat e nevojshme.

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave u bën thirrje qytetarëve të shmangin sa më shumë ekspozimin me rreziqet e shtuara nga situata dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për përballimin e saj.