Botë
Sulme në një kampus në Pakistan
01.12.2017 11:59
Së paku nëntë persona janë vrarë kur talibanët pakistanezë, të veshur në burka...

Së paku nëntë persona janë vrarë kur talibanët pakistanezë, të veshur në burka, kanë sulmuar kampusin e një universiteti të bujqësisë në veriperëndim të Pakistanit.
Shërbimi për media i ushtrisë tha se policia dhe trupat e armatosur i kanë vrarë të gjithë sulmuesit në Drejtorinë e Institutit të Bujqësisë, në qytetin Peshauar.
Një zyrtar mjekësor konfirmoi për korrespondentët e Radios Evropa e Lirë se spitali lokal ka pranuar trupat e nëntë personave. Tre ose katër sulmues janë në mesin e të vrarëve, thonë të dhënat nga terreni. Talibanët pakistanezë “Tehrik-e Taliban Pakistan” e morën përgjegjësinë për sulmin.
Në dhjetor të vitit 2014, ky grup ka vrarë 134 fëmijë në Shkollën Publike Ushtarake të Peshauarit. Talibanët pakistanezë po luftojnë për të rrëzuar qeverinë dhe për të instaluar një interpretim strikt të ligjit islam.
