Maqedoni

Kuvendi ua hoqi mandatin 6 deputetëve, VMRO: Vendimi është hakmarrje politike

01.12.2017 13:31

Kuvendi ua hoqi imunitetin gjashtë deputetëve të VMRO-DPMNE-së, të cilët Prokuroria i akuzon për "rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë"...

Kuvendi ua hoqi imunitetin gjashtë deputetëve të VMRO-DPMNE-së, të cilët Prokuroria i akuzon për "rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë", lidhur me ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Republikës. Kuvendi votoi veç e veç për secilin deputet. Për vendimet votuan 67 deputetë, nuk pati as vota kundër dhe as të përmbajtur, ndërkaq deputetët e koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE nuk morën pjesë në seancë. 
 
“Ne të gjithë bashkë duhet të mbledhim forca për ta tejkaluar trashëgiminë e 27 prillit duke respektuar ligjin, sundimin e së drejtës, sundimin e ligjit, duke respektuar institucionet dhe vullnetin e popullit. Seanca e sotme le të na forcojë edhe më shumë në rrugën e drejtë për reforma në gjyqësor, për një prokurori dhe gjyqësor pa ngarkesa, për një prokurori dhe gjyqësor të pakorruptuar”,- deklaroi Artan Grubi nga BDI.
 
“Sot jemi para dy zgjidhjeve, nëse do të mundësojmë që drejtësia dhe shteti ligjor të kthehen në rrugën e duhur, ose edhe më tej në këtë shtet do të zbatohet drejtësi selektive, pabarazi para ligjeve dhe do të ketë të privilegjuar. Më 27 prill jetët dhe shëndeti ynë dhe i kolegëve tanë, jetët e bashkëpunëtorëve tanë, shërbimeve në Kuvend dhe gazetarëve ishin të rrezikuar. Ajo që ndodhi atë ditë është në kundërshtim me të gjitha rregullat morale, etike, njerëzore dhe mbi të gjitha në kundërshtim me rregullat ligjore”,- deklaroi Tomisllav Tuntev nga LSDM.
 
VMRO-DPMNE e quajti Komisionin kuvendor, Komision të Lidhjes Social-demokrate, ndërkaq vendimin e cilësoi hakmarrje politike. Partia e Gruevskit, që dje paralajmëroi se nuk do të marrë pjesë në votimin e sotëm, pasi, siç kumtuan, nuk duan t’i japin legjitimitet një vendimi të tillë.
 
Vendimi i Kuvendit mbështetet në propozim/raportin e Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit, i cili një ditë më parë e pranoi kërkesën e Gjykatës Penale për t’ua heq imunitetin gjashtë deputetëve të VMRO DPMNE-së, përkatësisht t’i lejojë Gjykatës Penale që të zbatojë masën e paraburgimit edhe për deputetët: Kërsto Mukovski, Sasho Vasilevski, Johan Tarçullovski, Ljuben Arnaudov, Ljupço Dimovski dhe Zhaklina Peshevska.
 
SHPËTIM NUREDINI