Maqedoni
Kërkojnë azil në Greqi, gjykimi për Grujesvkin e Boshkovskin më 17 maj
01.12.2017 14:49
Ish-drejtori i Drejtorisë së 5 të MPB-së, Goran Gruevski, dhe i punësuari tjetër në DSK, Nikolla Boshkovski...

Ish-drejtori i Drejtorisë së 5 të MPB-së, Goran Gruevski, dhe i punësuari tjetër në DSK, Nikolla Boshkovski, të akuzuar për përgjimet ilegale në rastet e PPS-së, “Target” dhe “Lëndina”, do të vazhdojnë të qëndrojnë në burgim ekstradues në Selanik, pasi kërkuan azil politik në Greqi.
Këtë për Makfaks e kanë konfirmuar avokatët e të akuzuarve. Gjykimi ndaj Grujevskit dhe Boshkovskit për kalim të kufirit me dokumente të falsifikuara, që duhej të mbahej sot në Selanik, është shtyrë për më 17 maj, por, ndërkohë, më 13 dhjetor do të shqyrtohet kërkesa e autoriteteve maqedonase për ekstradim të të dy të akuzuarve për përgjimet ilegale, e cila u është dorëzuar autoriteteve greke më 6 nëntor.
Grujevski dhe Boshkovski dy herë kanë dalë para gjykatës së Selanikut, por seancat janë shtyrë për shkak të mospasjes së një përkthyesi gjyqësor. Ata u arrestuan në aeroportin e Selanikut më 18 tetor për shkak të posedimit të pasaportave të falsifikuara, në tentim për të udhëtuar për në Budapest.
