Arrestimet për dhunën në Kuvend, Timonie: përcaktim të qartë të përgjegjësisë
Ambasadori i Francës, Kristian Timonie, duke reaguar për arrestimet për ngjarjet e 27 prillit...

Ambasadori i Francës, Kristian Timonie, duke reaguar për arrestimet për ngjarjet e 27 prillit, potencon se është shumë e rëndësishme të konfirmohet qartë përgjegjësia për dhunën e papranueshme që u bë në Parlament dhe të veprohet në pajtim me sundimin e së drejtës, por edhe të prezumcionit të pafajësisë.
Në një deklaratë për MIA-n, Timonie thekson: “si dëshmitar i ngjarjeve të 27 prillit konsideroj se është me rëndësi thelbësore të konfirmohet qartë përgjegjësia për dhunën e papranueshme që u bë në Parlament, e cila mund të shkaktonte viktima në mesin e të zgjedhurve të popullit. Gjithashtu, me rëndësi është të veprohet në pajtim me sundimin e së drejtës, respektimin e të drejtës së mbrojtjes, imunitetit dhe presumcionit të pafajësisë, pa çka asnjë demokraci nuk mund të funksionojë. Kjo është në frymën e ndryshimeve që i paralajmëroi Qeveria e re dhe ne jemi të bindur se ajo do të dijë të nxjerrë mësime nga e kaluara dhe nga sjellja që e frenonte Maqedoninë në rrugën drejt integrimit europian”.
Ambasadori francez konsideron se do të duhet të veçohen në mënyrë adekuate dhe të kualifikohen saktë nivelet e ndryshme të përgjegjësisë personale.
“Në raste të caktuara kjo është posaçërisht e madhe tek ata të cilët përdorin dhunë fizike apo planifikuan ta përdorin atë, si dhe ata që nuk e përmbushën detyrën e tyre për ta mbrojtur shtëpinë ligjvënëse. Do të ishte paradoksale nëse ata që bartin pjesë të përgjegjësisë për këto ngjarje ta shfrytëzojnë këtë periudhë për ta paraqitur veten si viktima. Nga ana tjetër, është e domosdoshme të zbatohet drejtësia pa revanshizëm dhe me pjesëmarrje për proporcionalitet”,- theksoi ambasadori Timonie për MIA-n.
Ai pret që Parlamenti të luajë rol kyç për eurointegrimin e vendit dhe njëkohësisht përshëndeti dialogun e iniciuar nga presidenti Ivanov mes pushtetit dhe opozitës.
