Maqedoni
Vardari del nga shtrati, sinoptikanët: shi deri të dielën, më pas ulet intensiteti
01.12.2017 15:26
24 orët e fundit, Maqedonia është përfshirë nga reshjet e shiu, që kanë zgjatur pothuajse pa pushim në të gjithë vendin...

137 litra shi për metër katror janë matur në Mavrovë, 84 në Tetovë dhe 35 litra reshje për metër katror në Shkup. Vazhdimi i reshjeve, të cilat kanë shtuar nivelin e ujërave në të gjithë lumenjtë, mund të sjellë vërshime në koritat e lumenjve Radika, Drini i Zi dhe Sateska.
Sipas informatave nga ELEM-i, akumulimet artificiale kanë rezerva të mjaftueshme hapësirë të lirë dhe mund ta akumulojnë ujin që vjen. Vardari ndërkohë ka dalë nga shtrati në qendër të Shkupi. Autoritetet e qytetit të Shkupit po e ndjekin nga afër situatën dhe sigurojnë qytetarët se nuk ka hapësirë për panik.
“Ekipet tona kanë kontrolluar gjendjen dhe vërtetuan tre pika kritike. Në pikën mes parkut të skejtbordëve deri te ura e Lirisë, pranë Holidej In, poshtë ndërtesës së Fondit për Sigurim Pensional në komunën Aerodrom, tek kaskadat, e në Lisiçe të Poshtme, ku përfundon korita e rregulluar e Vardarit, për momentin po përgatisim 10 mijë thasë me rërë, që do të vendosen në këto pika kritike. Janë gati edhe 4 pompa për thithjen e ujit me kapacitet prej 8700 litra në minutë, si dhe rreth 40 pompa më të vogla që mund të përdoren nëse ka nevojë”,- u tha nga Qyteti i Shkupit.
Sinoptikët parashikojnë se moti me shi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, por duke ulur intensitetin e reshjeve.
“Sigurisht që niveli i lumenjve është rritur për shkak të reshjeve të ditëve të fundit dhe presim që deri nesër në mëngjes sërish të ketë prurje të shtuara, veçanërisht në pjesët perëndimore, jugperëndimore dhe lindore të vendit. Rreziku nga vërshimet potenciale bëhet më i madh gjatë ditës së dytë të reshjeve, pasi toka është e ngopur dhe sasitë e ujit më lehtë depërtojnë direkt në kanale e lumenj”,- theksoi sinoptikani, Boris Sekirarski.
Reshjet e shiut do të vazhdojnë deri të shtunën. Më shumë reshje do të ketë pjesa lindore e vendit, ndërsa të dielën reshjet do të përqendrohen vetëm në pjesët lindore e perëndimore. Prej të hënës na pret kohë më e ftohtë, me temperaturë të mëngjesit nën zero, me kushte në vendet malore edhe për reshje të dobëta bore.
FJOLLA TELAI
