Maqedoni
Uji i pijshëm, KRRE vendosi: Do të ketë çmime të reja
01.12.2017 15:45
Komisioni Rregullator për Energjetikë ka vendosur kornizat minimale dhe maksimale të çmimit të ri të ujit....

Komisioni Rregullator për Energjetikë ka vendosur kornizat minimale dhe maksimale të çmimit të ri të ujit, që lëvizin në varësi të rajoneve dhe të ndërmarrjeve që menaxhojnë në këto rajone.
Sipas analizave, në disa rajone çmimi i ujit do të rritet, por ne disa do të ketë edhe ulje çmimi. Prej 1 janarit, banorët e Shkupit do të paguajnë çmim më të ulët për ujin që pinë, dhe atë për rreth 2.68%, por kjo nuk do të thotë se do të kenë fatura të ulëta,pasi qytetarët e Shkupit do të duhet të paguajnë 2.4 denarë shtesë për stacionin filtrues të ujërave të zeza.
“Përgjithësisht, në Shkup ulet çmimi i ujit për së paku 2.68%, por kjo ulje vlen derisa nuk fillon implementimi i detyrimit të ri të qytetarëve për pagesën e domosdoshme të stacionit filtrues të ujërave të zeza prej 2.4 denarë”,- deklaroi kryetari i KRRE-së, Dimitar Petrov.
Deri në këto momente nuk dihet se prej cilit muaj do të fillojë pagesa e re për filtrimin e ujërave të zeza, por dihet se e njëjta starton gjatë vitit 2018. Çmime të reja të ujit parashikohen për gjithsej 37 ndërmarrje në vend.
KRRE, në bazë të analizave që ka bërë, parashikon rritje të çmimit të ujit në Zletovë, Probishtip, Strumicë, Radovish, Kumanovë, Manastir, Prilep, Resnjë, Veles, Negotinë, Strugë, Kërçovë, Bërvenicë dhe Zhelinë, ndërsa ulje të ketë në Ilinden, Berovë, Vinicë, Koçan, Bosilovë, Gjevgjeli, Likovë, Kavadar, Shën Nikollë, Dibër, Ohër, Vrapçisht, Gostivar dhe Tetovë.
Për çmimet përfundimtare të ujit vendos vetë pushteti lokal, përveç në 7 ndërmarrjet ku qeveria si themelues i tyre e ka fjalën e fundit. Autoritetet justifikohen se çmimet e reja të ujit do të kontribuojnë dukshëm për të pasur rrjet të qëndrueshëm të ujit dhe kanalizim dhe ujë më cilësor për pije.
REXHEP QAMILI
