Maqedoni
Rasti “300”, eksperti vlerëson nëse Popovski është në depresion
01.12.2017 15:58
Seanca e sotme gjyqësore për rastin e PPS-së “300”, u zhvillua me dyer të mbyllura për opinionin me arsyetimin se duhet të respektohet e drejta e privatësisë...

Për pothuajse një orë brenda në seancë kanë diskutuar PPS, eksperti i pavarur gjyqësor në fushën e psikiatrisë, mjeku i cili i dha pushimin mjekësor dhe i akuzuari, Gjoko Popovski. Me këtë rast, dokumentacioni mjekësor për depresionin e Popovskit i është dorëzuar ekspertit psikiatër, i cili deri në seancën e radhës, më 28 dhjetor, duhet të përgatisë raport dhe mendim për gjendjen e tij shëndetësore, ndërkaq shpjegim duhet të japë edhe mjekja e cila ia ka dhënë pushimin mjekësor.
Me këtë ekspertizë duhet të vërtetohet nëse Popovski është i aftë të ndjekë seancat gjyqësore pas anulimeve të njëpasnjëshme për mosprezencën e tij në gjykim, me arsyetimin se i njëjti nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.
Në lëndën “300” akuzohet ish-ndihmës ministri i Punëve të Brendshme, Gjoko Popovski, për keqpërdorim të detyrës lidhur me sigurimin publik të 300 veturave për nevojat e policisë. Me këtë ai dyshohet se ka dëmtuar buxhetin për mbi 450 mijë euro.
Sipas PPS-së, Popovski në mënyrë joligjore ka shpërndarë marrëveshje për shitblerje dhe mirëmbajtje të veturave. Edhe në këtë lëndë, sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, bisedat e përgjuara mund të shfrytëzohen si dëshmi.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
