Maqedoni
Gjykata Penale ndryshon vendimin, tre persona nga arresti shtëpiak në Shutkë; Avokati i popullit: Çavkovi ankohet për kushtet në burg
01.12.2017 17:00
Gjykata Penale i ka pranuar ankesat e Prokurorisë Themelore Publike edhe për tre të dyshuar për dhunën në Kuvend...

Gjykata Penale i ka pranuar ankesat e Prokurorisë Themelore Publike edhe për tre të dyshuar për dhunën në Kuvend më 27 prill të këtij viti, për të cilët u caktua paraburgim shtëpiak. Gjykata ka vendosur të ndryshojë vendimin dhe t’i dërgojë në Burgun hetues në Shkup.
Këshilli Penal duhet të vendos për ankesat edhe të të akuzuarve të tjerë për të cilët Prokuroria kërkon paraburgim, e jo paraburgim shtëpiak, si dhe për ankesat e një pjese të të paraburgosurve në burgun në Shutkë të cilët kërkojnë të shkojnë në paraburgim shtëpiak.
Dje u caktua paraburgim edhe për tre persona të cilët më vonë u arrestuan ose vetë u paraqitën, ndërsa janë pjesë e grupit të 36 të dyshuarve për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend.
Ndërkohë, ish-ministri i Brendshëm, Mitko Çavkov, e ka ndërprerë grevën e urisë, njoftojnë nga Avokati i Popullit, ku familja e tij është ankuar për gjendjen e tij shëndetësore. Ekipi i Avokatit i Popullit ka vizituar burgun e Shutkës, me ç’rast Çavkov është ankuar për kushtet e burgut.
“Prej sot ai e ka ndërprerë grevën, rregullisht merr terapinë e nevojshme shëndetësore që i nevojitet dhe në anën tjetër ka edhe marrëveshje që dhe i është lejuar që familja e tij çdo ditë tre herë në ditë t’i t’i sjell ushqim. Nuk ankohet në trajtim, ankohet në kushtet, sigurisht kushtet ato janë në burgun e Shutkës”,- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Memeti.
Midis të dyshuarve të cilët Prokuroria i ndjek për “rrezikim terrorist të sistemit kushtetues dhe sigurisë” lidhur me ngjarjet e 27 prillit të këtij viti në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, janë edhe gjashtë deputetë për të cilët gjithashtu është kërkuar paraburgim.
NAIM RAMADANI
