Maqedoni

Dita Botërore e Luftës Kundër SIDA-s, Maqedonia ka 39 persona të diagnostifikuar me HIV

01.12.2017 17:26

Europa lindore është pjesa ku ka më shumë të prekur nga virusi HIV, ku vetëm këtë vit janë regjistruar 106 mijë persona...

Maqedonia, ndërkohë, shënon ulje të të infektuarve nga ky virus. Gjatë këtij viti janë regjistruar 39 raste me këtë virus, u tha me rastin e Ditës Botërore të Luftës Kundër SIDA-s.
 
“39 persona janë diagnostifikuar më HIV gjatë vitit 2017. Siç shihet, në 5 vitet e fundit numri i të prekurve shënon rënie, për shkak të HIV testeve që i kemi gjithkund, organizatave që bëjnë testime falas dhe terapisë e cila gjendet kudo vitet e fundit. Shkup 18, Shtip 4, Prilep 3, Veles 2, Kumanovë 2, Manastir 2, Strumicë 2, Kavadarc 2, Tetovë 1, Vallandovë 1 dhe Shën Nikollë 1”,- theksoi një mjek.
 
Testimet falas dhe terapia –antiretrovirusale dhe fushatat e shpeshta që mbahen kundër SIDË-s, ka ndihmuar vendin të mos përhapet epidemia.
 
“Nga 206 pacientë të cilët vinë rregullisht në kontrolle dhe konsultime në klinikë, 197 prej tyre janë pacientë të cilët janë në trajtim anti-retrovirusal, ndërsa 97%  e tyre e kanë arritur nivelin jodetektimit ose më pak se 20 kopje të virusit në gjak. Ne me këtë kemi arritur që t’i përmbushim përqindjet e parapara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që ta kemi nën kontroll epideminë e HIV-virusit”,- u shpreh një mjeke në klinikën infektive.
 
Shumica  e qytetarëve nuk janë në dijeni se janë të prekur nga virusi - HIV dhe të njëjtët paraqiten në fazat e fundit të infektimit me HIV. Prandaj duhet ta bëjnë testimin në qendrat më të afërta për testim, i cili është falas.
 
“Një nga sfidat më të mëdha dhe me një angazhim të ndërmarrë globalisht, edhe në Maqedoni si në të gjitha vendet tjera, që deri në vitin 2020 të arrijmë që 70% e njerëzve të cilët mendohet se janë të prekur me HIV, të jenë të informuar për HIV statusin e tyre, që të mund të arrijnë në shërim dhe terapinë e nevojshme dhe me këtë arrihet të vihen nën kontroll përhapja e ndonjë epidemie”,- theksoi anëtari i Shoqatës së Personave me HIV- Andrej Senih.
 
1.8 milion njerëz në botë vuajnë nga virusi HIV, ndërsa nga viti 2006 e deri tani kanë vdekur 35 milion njerëz. Në gjashtë vitet e fundit ky numër ka filluar të zvogëlohet për 40%.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU