EKONOMI

Neziri: Projekt për mbrojtjen e konsumatorëve

02.07.2014 17:09

Ministria e Ekonomisë, nëpërmjet zbatimit të projekteve të caktuara, do të përpiqet që në mënyrë efikase të kujdeset më shumë për të drejtat e konsumatorëve.......

Ministria e Ekonomisë, nëpërmjet zbatimit të projekteve të caktuara, do të përpiqet që në mënyrë efikase të kujdeset më shumë për të drejtat e konsumatorëve.

Për këtë qëllim, ky dikaster nga IPA-fondet ka siguruar një shumë prej 1.330.000 eurosh, të cilat do t’i dedikohen harmonizimit të tërësishëm të legjislaturës nacionale me legjislaturën e BE-së, si dhe përforcimit të kapaciteteve në sektorin joqeveritar.

“Kemi fituar grand prej  1.330.000 eurosh, i cili grand është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë është 700 mijë euro, i cili do të shfrytëzohet për përmirësimin e Administratës dhe Inspektoratit të Tregut të RM-së. Ndërsa pjesa tjetër është grand prej 630 mijë eurosh, grand i cili do të shfrytëzohet për përkrahjen e Shoqatave Joqeveritare, të cilat merren me mbrojtjen e konsumatorëve të RM-së”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.

Ministri Neziri, ka ngritur shqetësim për numrin e ankesave të realizuara në Inspektoratin e Tregut. Ai ka ftuar konsumatorët e pakënaqur që t’i drejtohen edhe sektorit të posaçëm në Ministrinë e Ekonomisë.

“Në Inspektoratin e Tregut, ka diku mbi 4500 ankesa. Ajo që është alarmante është se nga 4500 ankesa, vetëm 2% janë përgjigjur pozitivisht ndaj ankesave të konsumatorëve. Ky është një alarm ndaj Ministrisë së Ekonomisë dhe ne prej sot ua bëjmë me dije të gjithë konsumatorëve që përveç ankesave që i drejtojnë në Organizatën për Mbrojtjen e të Drejtave të tyre dhe në Inspektoratin e Tregut, ata mund të drejtohen edhe në sektorin në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, i angazhuar për të drejtat e konsumatorëve”, theksoi Neziri.

Duke përmirësuar shërbimin e Administratës, do të japim një kontribut i cili do të ndikojë drejtpërdrejtë në përmirësimin e të drejtave të konsumatorëve në RM-së, thotë ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri. (Naim Ramadani, TVM2)