XHAFERI - MULTANOWSKI

Xhaferi takon ambasadorin polak

02.07.2014 17:17

Këta dy të fundit, biseduan për situatën politike në vend dhe rajon, proceset integruese dhe në veçanti për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.........

Marrëdhëniet në mes Polonisë dhe Maqedonisë janë të mira dhe se në mes dy vendeve ka potencial për thellimin e bashkëpunimit në sfera të ndryshme, në ekonomi, kulturë, arsim, u tha sot në takimin e realizua nga zëvendëskryetari i Qeverisë së Maqedonisë, Musa Xhaferi dhe ambasadorin e Polonisë në vendin tonë, Jacek Multanowski.

Këta dy të fundit, biseduan për situatën politike në vend dhe rajon, proceset integruese dhe në veçanti për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Ambasadori polak, ka shprehur interesim për dinamikën e implementimit të këtij dokumenti paqësor, duke u përqendruar në marrëdhëniet ndëretnike, si një nga shtyllat kryesore të MO-së. Ata, gjithashtu konstatuan se marrëdhëniet ndëretnike janë shumë të rëndësishme për një shoqëri shumëetnike dhe se në zhvillimin e tyre nevojitet dialogu ndërshoqëror.

Me krijimin e dialogut dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit në mes komuniteteve, tejkalohet gjuha e urrejtjes, theksuan bashkëbiseduesit.

Zëvendëskryeministri, Xhaferi, theksoi se implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, së bashku me integrimin e vendit në NATO dhe BE dhe zhvillimin ekonomik, janë disa nga prioritetet në programin për punën e Qeverisë së re.

Ndërsa ambasadori, Jacek Multanowski, tha se Polonia mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE dhe se vendi i tij mbështet reformat që bëhen në realizimin e këtij qëllimi. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)