Shqipëri, përmbytjet kanë prekur disa vendbanime
Shqipëria vazhdon të përballet me pasojat e rreshjeve të shiut....

Shqipëria vazhdon të përballet me pasojat e rreshjeve të shiut. Në Fier dhe Vlorë vazhdojnë operacionet për të përballuar situatën e krijuar nga moti i keq dhe dalja e Vjosës nga shtrati.
Përveç zonave në Vlorë, prurjet e lumit kanë përmbytur totalisht 2 fshatrat e Fierit, Darzezë dhe Povelcë, të Njësisë Administrative Dërmenas.
Raportohet se është prishur edhe ura që të lidh me fshatin Darzezë, duke lënë të izoluar banorët dhe një pjesë të forcave ushtarake, që janë atje për t’u ardhur në ndihmë. Forcat xheniere kanë nisur nga puna për ndërtimin e një ure provizore lidhëse me fshatin Darzezë.
Situata vijon të përkeqësohet, për shkak të rritjes së prurjeve të lumit Vjosa, ndërsa pompat e hidrovoreve të Darzezës dhe Semanit janë duke punuar me kapacitet të plotë.
Në këtë zonë po operojnë edhe Forcat e Armatosura, bashkë me një ekip Emergjence nga Kosova, të cilët po përpiqen t’ju vijnë në ndihmë të përmbyturve. Edhe Memaliaj është prekur nga moti i keq, teksa raportohet se një helikopter i Forcave të Armatosura i ka ardhur në ndihmë një shtetasi të sëmurë, i mbetur i izoluar në fshatin Gilavë.
Rreshjet kanë shkaktuar problem edhe në Bulqiza ku prurjet e mëdha të Drinit po rrezikojnë dëmtimin e argjinaturës pranë fshatit Gjoricë.
