Deputetët e akuzuar për terrorizëm, ende në liri

03.12.2017 16:42

Gjashtë deputetët e akuzuar për "rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë"....

Gjashtë deputetët e akuzuar për "rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë", lidhur me ngjarjet e 27 prillit, në Kuvendin e Republikës, ende janë në liri, njofton “TVM2”.

Edhe pse me kërkesë të Gjykatës Penale, Kuvendi ua hoqi imunitetin gjashtë deputetëve të VMRO DPMNE-së, që ditën e premte, gjykatësi hetues ende nuk u ka caktuar masën e paraburgimit, masë që e propozon Prokuroria Publike.

Zëdhënësi i Gjykatës Penale, Dejan Ristovski, thotë se, nga e premtja nuk ka asnjë zhvillim në këtë drejtim dhe se mbeten në qëndrimin e ditës së premte, se vendimet e Kuvendit ende nuk kanë arritur në Gjykatë. Mirëpo, sipas tij, zhvillime të reja mund të priten ditën e hënë. Për dallim nga pretendimet e Gjykatës, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, deklaroi se vendimet e Kuvendit për t’u heq imunitetin gjashtë deputetëve të akuzuar, i janë dorëzuar Gjykatës që ditën e premte. Prokuroria Publike akuzon deputetët: Kërsto Mukovski, Sasho Vasilevski, Johan Tarçullovski, Ljuben Arnaudov, Ljupço Dimovski dhe Zhaklina Peshevskën si dhe 30 persona të tjerë për "rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë", lidhur me ngjarjet e 27 prillit, në Kuvendin e Republikës. 

Më 28 dhe 29 nëntor u arrestuan 26 persona, të cilët me propozim të Prokurorisë Publike për krim të organizuar dhe korrupcion, dolën para gjykatësit në procedurë paraprake pranë Gjykatës Themelore Shkupi 1. Për 16 persona është caktuar masa paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditë, ndërkaq, për kërkesën e Prokurorisë që të paraburgosen edhe 6 deputetët e dyshuar, Gjykata pati njoftuar se do të merr vendim pasi Kuvendi t’u ketë hequr imunitetin.

Me vendimin e Gjykatës nuk është pajtuar VMRO-DPMNE e cila prej disa ditësh ka organizuar protesta para gjykatës dhe burgut të Shutkës, ndërsa nuk munguan protestat edhe këtë të diel para Minsitrisë së drejtësisë.

Protestuesit kërkojnë lirimin e menjëhershëm të personave të paraburgosur, duke theksuar se ata nuk janë terrorist por patriot maqedonas. (Shpëtim Nuredini, TVM2)