Shqipëri, situata me vërshimet drejt normalizimit

03.12.2017 17:52

Pas rreshjeve të fundit Shqipëria vazhdon të përballet me pasojat e vërshimeve....

Pas rreshjeve të fundit Shqipëria vazhdon të përballet me pasojat e vërshimeve, pasi të dhënat e para flasin për përmbytjen e 10,217 hektarë tokë, kryesisht në Fier dhe Vlorë, si dhe 5,781 hektarë të tjera me prani uji.

Poashtu në mbarë shqipërinë janë prekur nga uji apo janë përmbytur 3,337 shtëpi banimi, janë evakuuar 596 familje dhe janë shpëtuar 1,552 qytetarë. Poashtu përmbytjet kanë shkaktuar dëme në infrastrukturë, si prishjen apo dëmtimin e 28 urave dhe shumë pjesë aksesh rrugore. Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit bën të ditur se situata po fillon të normalizohet dhe rreziku i përmbytjeve ka kaluar.

“Meqenëse Lumi Vjosa pritet të ulë ndjeshëm prurjet përgjatë ditës së diel dhe ditës së hënë  janë hequr paralajmërimet për vazhdimin e përmbytjes në qarqet Fier dhe Vlorë.  Kryeministri Edi Rama inspektoi situatën e krijuar pas shirave të ditëve të fundit, në zonën e Urës Vajgurore, ku rezultoi se investimet e kryera për mbrojtjen nga lumi, kanë shmangur përmbytjen e banesave dhe fushave bujqësore që u mbuloheshin nga uji gati çdo dimër.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, pasi ka mbajtur takim me shtabin lokal të emergjencave në Korçë, ka dalur në teren për të parë nga afër pasojat e rreshjeve të dy ditëve të fundit. Nga ana tjetër Ministreja e Arsimit Lindita Nikolla ka bërë të ditur se për shkak të vërshimeve, të hënën do të pezullohet mësimi në 27 shkolla në të gjithë Shqipërinë.