USHT pajiset me 2 laboratorë mjekësor
Kompletimi i tërësishëm me laboratorë, pritet të realizohet gjatë muajit të ardhshëm, theksoi me këtë rast nikoqiri i këtij eventi, rektori i USHT-së, Vullnet Ahmeti.....

Falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Spitalit Klinik të Tetovës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me USHT-në, u promovuan edhe dy laboratorët, të cilët do të funksionojnë në kuadër të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, ai i Patologjisë dhe i Stomatologjisë.
Kompletimi i tërësishëm me laboratorë, pritet të realizohet gjatë muajit të ardhshëm, theksoi me këtë rast nikoqiri i këtij eventi, rektori i USHT-së, Vullnet Ahmeti.
“Udhëheqësia e Universitetit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Spitalin Klinik i Tetovës, në të ardhmen përgatitemi të hapim edhe laboratorin e Patofizës dhe laboratorin e Mikrobiologjisë. Nga muaji tetor, duhet të mbarojë e gjithë faza e Mjekësisë Paraklinike dhe të fillojmë përgatitjet e mëtutjeshme për Mjekësinë Interne dhe Mjekësinë Klinike, kështu që është një madhështi për vetë institucionin tonë që studentët tanë të kryejnë pjesën praktike dhe të shohin me të vërtetë se si arrihet dhe si realizohet një ushtrim dhe një mësim praktik”, deklaroi rektori i USHT-së, prof. dr. Vullnet Ameti.
Ministri dikasterit, Abdilaqim Ademi, i pranishëm në këtë aktivitet, theksoi mes tjerash se MASH-i do të vazhdojë edhe më tej të mbështesë projektet e mëdha të USHT-së, të cilat prodhojnë vlera dhe ngrisin cilësinë e studimit.
“Dua t’i siguroj udhëheqësisë së Universitetit, se ne do të vazhdojmë ta përkrahim edhe më tej USHT-në edhe me plotësimin e kushteve jo vetëm për Fakultetin e Mjekësisë, por edhe për fakultetet tjera, në program kemi që të këmbejmë ose të sjellim profesor nga universitetet eminente në USHT dhe dua të them që fakulteti i parë që do të ketë fatin të ketë profesor nga këto universitete me renome botërore, është pikërisht Fakulteti i Mjekësisë”, theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi.
Për ngritjen e këtyre dy laboratorëve, Universiteti Shtetëror i Tetovës ka investuar mbi 200 mijë euro nga buxheti i vet. (Miftar Emini, TVM2)
