AVOKATI I POPULLIT

Memeti: Ende i pranishëm diskriminimi në baza etnike

02.07.2014 18:01

Mehmeti, po ashtu është shprehur se ka ende organe shtetërore që nuk bashkëpunojnë me avokatin e popullit, madje ka edhe nga ata që pengojnë punën e tij........

Në Maqedoni, ende është i pranishëm diskriminimi në baza etnike dhe politike. Kështu ka deklaruar avokati i popullit, Ixhet Memeti, i cili gjatë prezantimit të raportit vjetor të Ombdusmanit, para deputetëve u shpreh se në Maqedoni ka mosbesueshmëri të qytetarëve ndaj gjyqësorit, shkelje të të drejtave të njeriut, gjendje të përvuajtshme të burgjeve dhe mbipopullim në qelitë e tyre, bllokim të llogarive bankare të qytetarëve në mënyrë joligjore, dhunë nëpër shkolla dhe shumë ankesa tjera, të cilat i bëjnë qytetarët.

“Konstatuam se diskriminimi është prezent në shoqërinë tonë, veçanërisht diskriminimi në baza etnike dhe politike, ndërsa qytetarët akoma në mënyrë të pamjaftueshme i identifikojnë mënyrat dhe format e kësaj dukurie, si dhe institucionet dhe mekanizmat mbrojtëse. Po ashtu edhe këtë vit, numri më i madh i ankesave, të cilat iu drejtuan Avokatit të Popullit, kishin të bëjnë me punën e jurisprudencës së gjyqësorit, përmbaruesve, noterit, e kështu me radhë”, deklaroi avokati i popullit, Ixhet Memeti.

Mehmeti, po ashtu është shprehur se ka ende organe shtetërore që nuk bashkëpunojnë me avokatin e popullit, madje ka edhe nga ata që pengojnë punën e tij.

Sa i përket vërejtjes për gjyqësorin, deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti, deklaroi se është alarmuese dhe shqetësuese që avokati i popullit konstaton diçka të tillë, se akoma është shumë e theksuar dhe prezent te qytetarët ndjenja për një qasje të pabarabartë te drejtësia dhe bindja e tyre se vendimet gjyqësore shpeshherë nuk janë marrë në baza të provave, siç ishte gjykimi i rastit “Monstra”.

“Ky proces gjyqësor për të cilin po flas, është përcjellë me shumë kontroverse, me shumë mosbesim dhe me pakënaqësi të shprehura publikisht nga qytetarët, në fakt flet për atë që ashtu siç thotë edhe avokati i popullit, ne si klasë politike duhet të punojmë shumë më shumë për të siguruar ambientin e nevojshëm politik, që gjyqësori realisht të reformohet tërësisht dhe të kryej punën e vet në mënyrë më të pavarur, më objektive. Gjithsesi, duke marrë parasysh procedurën në fazën e provave, provimit të fajësisë, për të siguruar nëse në fakt janë dhënë provat ose dëshmitë e duhura, mendoj se s’është rast i mirë që të përkujtojmë se deklaratat e prokurores së rastit në fjalë, nuk kanë ndihmuar shumë në krijimin e klimës së mirëbesimit”, deklaroi deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti.

Ndërsa deputetët maqedonas, u përpoqën të kritikojnë Ombdusmanin se nuk ka përfshirë në raport diskriminimin e maqedonasve në vendet ku ata janë pakicë, po ky cilësim, sipas deputetëve shqiptarë, është i palogjikshëm, pasi në një Shtet unik si Maqedonia, ndarja e pushtetit bëhet vetëm në pushtet qendror dhe lokal, por jo edhe në ndarje të pushtetit në baza etnike. (Mefail Ismaili, TVM2)