Kontesti rreth emrit, Kotzas: nuk ka zgjidhje pa kompromis të ndershëm
Më 11 dhe 12 dhjetor, në Bruksel mbahet raundi i ri i bisedimeve mes Maqedonisë dhe Greqisë me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të KB-së, Methju Nimic...

Më 11 dhe 12 dhjetor, në Bruksel mbahet raundi i ri i bisedimeve mes Maqedonisë dhe Greqisë me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të KB-së, Methju Nimic, si një përpjekje e radhës për gjetjen e një zgjidhjeje për kontestin mes dy vendeve rreth emrit të Maqedonisë.
Ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Koxias, në një deklaratë të fundit për gazetën Etnos, pranon se për këtë çështje duhet kompromis, i cili do t’i hapte rrugën Maqedonisë drejt integrimit euroatlantik dhe përfshirjen në të gjitha organizatat e tjera. Nuk mund të ketë asnjë lëvizje në këtë drejtim pa kompromis me Athinën, përkujton Kotzias.
“Në rastin me IRJM-në, fqinjët tanë besuan se mund të vazhdojnë me përfshirjen drejt këtyre organizatave pa marrëveshje me ne, diçka që është e pamundur. Disa prej nesh gjithashtu besuan se inercia në politikën e jashtme është arma jonë”,- thekson Koxias.
Sipas tij, Athina edhe Shkupi tani kanë kuptuar se duhet të punojnë në bazë të konsensusit dhe kompromisit.
“Të gjithë bashkëbiseduesve tanë tani u është e qartë se duhet të gjendet kompromis i ndershëm për çështjen e emrit me fqinjin tonë verior. E vërtetë është, gjithashtu, se disa nga BE-ja në të kaluarën kanë krijuar iluzione se rruga drejt anëtarësimit në Union dhe në disa organizata tjera mund të hapet pa kompromis”,- deklaroi Koxias për Etnos.
