Maqedoni
Zëvendëskryeministri Osmani në Estoni: BE konfirmon mbështetjen për procesin e zgjerimit
04.12.2017 12:33
Zëvendëskryeministri për Çështje Europiane, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij në Estoni është pritur sot nga ministri i Punëve të Jashtme, Sven Mikser...

Zëvendëskryeministri për Çështje Europiane, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij në Estoni është pritur sot nga ministri i Punëve të Jashtme, Sven Mikser, me të cilin ka diskutuar prioritetet e kryesimit estonez me këshillin e BE-së deri në fund të vitit, politikën e zgjerimit, si dhe procesin e integrimit europian të Maqedonisë.
Në takim, siç njofton Kabineti i Osmanit, është theksuar se ky moment i volitshëm është shans historik në rrafshin e integrimeve euroatlantike dhe Maqedonia po bën çmos që të mos lëshohet si mundësi.
"Qëllimi ynë është që, përderisa zgjat kryesimi i Estonisë, të marrim sinjalet e para nga BE-ja për vizibilitetin e perspektivës europiane të Republikës së Maqedonisë'",- deklaroi Osmani, i cili ka kërkuar ndihmë të drejtpërdrejt nga Estonia për Sekretariatin për Çështje Europiane, për formimin, përgatitjen dhe trajnimin e ekipit negociues për fillimin eventual të negociatave.
Bashkëbiseduesit ranë dakord se BE-ja po e konfirmon pozicionin e mbështetjes së procesit të zgjerimit, ndërkaq kryesimi i Estonisë, si dhe më pas i Bullgarisë, Austrisë dhe Rumanisë, janë një rast i papërsëritshëm, një mundësi që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet ta humbasin.
Në kuadër të vizitës në Estoni, zëvendëskryeministri Osmani realizoi takime edhe me Klen Jarac - drejtor i Zyrës për Çështje Europiane në Qeverinë e Estonisë, me Tomas Vitsut - kryetar i Komisionit për Çështje Europiane në Parlamentin estonez, si dhe me Erik Nils Kros - kryetar i grupit parlamentar mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Estonisë.
