Cilësia në arsim, Zaev: Shkurtim të lëndëve dhe revidim të teksteve
Në kuadër të reformave në arsim, qeveria planifikon edhe zvogëlimin e numrit të lëndëve....

Në kuadër të reformave në arsim, qeveria planifikon edhe zvogëlimin e numrit të lëndëve. Kjo do të jetë pjesë e ndryshimeve në ligjet për arsim, paralajmëroi kryeministri, Zoran Zaev, në konferencën kushtuar arsimit cilësor, të organizuar nga UNICEF-i. Ai paralajmëroi edhe revidim të programeve mësimore dhe teksteve shkollore.
"Nxënësit në Maqedoni kanë shumë lëndë, ndërsa kanë dituri jo të mira. Në sistemin arsimor deri tani u eksperimentua shumë, ndërsa dëmin më të madh e pësuan fëmijët, nxënësit dhe studentët. Maqedonisë i duhet sistem arsimor i cili në të ardhmen vetëm do të mbindërtohet e jo vazhdimisht të ndryshohet",- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Kryeministri Zaev po ashtu paralajmëroi se në arsimin e lartë po mendohet për aplikimin e studimeve për më pak se tre vite. Ministrja e Arsimit, ndërkohë, paralajmëroi se së shpejti do të fillojë debati publik për tre vitet e para të arsimit fillor.
"Qëllimi është të ofrohet arsim që do të pranohet nga fëmijët dhe që do t’u ofrojë arsim cilësor, sidomos në pjesën e gjuhëve dhe matematikës, ku Maqedonia është ranguar dobët",- tha ministrja e arsimit dhe shkencës, Renata Treneska – Deskovska.
Reformat në arsim gjithmonë duhet të jenë në hap me ndryshimet, theksoi përfaqësuesi i UNICEF-it.
"Fëmijët duhet të përgatiten për botë e cila asnjëherë nuk përfundon së ndryshuari, prandaj reformat nuk nënkuptojnë kalim nga një gjendje statike te tjetra, por përpjekjet e vazhdueshme të mbeten në hap me ndryshimet",- u shpreh Benxhamin Perks nga UNICEF-i.
Në konferencë po marrin pjesë 500 pjesëmarrës, përfshirë ekspertë ndërkombëtarë të arsimit, nga Banka Botërore, Shqipëria, Sllovenia, Kroacia dhe Serbia. (Gyltene Sinani, TVM2)
