Maqedoni
Invalidët e punës: Të drejta vetëm në letër, jo edhe në praktikë. Palloshi: Presim që qeveria e re të dëgjojë zërin tonë
04.12.2017 17:00
Në kuadër të aktiviteteve kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Posaçme...

Në kuadër të aktiviteteve kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Posaçme, Shoqata e Invalidëve të punës në Çair ripotencoi se të drejtat e invalidëve janë të shkruara në letër, por pak respektohen në praktikë. Sipas tyre, njerëzit me aftësi të kufizuara kanë më pak akses në shërbimet shëndetësore si dhe në institucionet tjera shtetërore.
“Në letër është gjithçka, mirëpo në praktikë shumë pak. Se ne jemi invalidë të punës, po nuk kemi qasje në institucione shtetërore, d.m.th. asnjë benefit nuk e kemi nga asnjë institucion. As në shëndetësi, as në ministritë e tjera nuk kemi benefite. Edhe pse jemi invalidë të punës, i paguajmë të gjitha të dhënat në shëndetësi. Unë shkoj për çdo muaj në mjek dhe paguaj si paguajnë të gjithë qytetarët edhe pse jam invalid 100% dhe paguaj të gjitha të dhënat që i takojnë Ministrisë së Shëndetësisë”,- deklaroi invalidi i punës, Syl Jetishi.
Shoqata shumë herë është ankuar për shkeljen e të drejtave të anëtarëve të saj, por ekzekutivi i kaluar aspak nuk i ka marrë parasysh ankesat e tyre. Ata shpresojnë që tani gjërat do të ndryshojnë.
“Kemi ngritur zërin në qeverinë e kaluar, nuk na kanë marrë parasysh aspak. Me ardhjen e qeverisë së re, te zonja Mila Carovska, kam qenë 2 herë, më ka pritur shumë mirë, më ka dhënë premtime jashtëzakonisht të mira, kemi bashkëpunim të mirë me ta dhe besojmë se do kemi suksese”,- u shpreh nënkryetari i Shoqatës së Invalidëve në Maqedoni, Xhevat Palloshi.
Shoqata ndau edhe sivjet mirënjohje për ata që kanë kontribuuar në të. Dita ndërkombëtare e invalidëve synon ndërgjegjësimin e shoqërisë civile, donatorëve, por edhe të përfituesve për t’u bërë pjesë dhe për t’u përfshirë në procesin e integrimit të personave me aftësi të kufizuara në jetën politike, ekonomike dhe social-kulturore.
FJOLLA TELAI
